Janevska: Përgjegjësia është e përbashkët për t’u siguruar një fëmijëri të lumtur dhe një të ardhme me perspektivë të gjithë fëmijëve tanë
Sigurimi i një fillimi të mbarë, arsimit cilësor dhe një jete dinjitoze për çdo fëmijë është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, kompanive dhe gjithë shoqërisë, tha ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, në shënimin e ditës Botërore të fëmijëve dhe fillimin e shënimit të 80-vjetorit të themelimit të UNICEF-it, në ngjarjen “i biem kambanës për fëmijët”, organizuar nga UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë.
“Ne kemi privilegjin e përbashkët të jemi të rriturit në fëmijërinë e fëmijëve të sotëm. Kjo e bën përgjegjësinë tonë edhe më të madhe. Çdo fëmijë meriton mundësinë për ta zhvilluar potencialin e tij të plotë, të rritet me kureshtje dhe jo me frikë dhe të mësojë në një mjedis që e inkurajon të bëjë pyetje, të hulumtojë dhe të besojë në aftësitë e veta”, theksoi ministrja.
Ministria e arsimit dhe shkencës investon vazhdimisht në përmirësimin e arsimit fillor, si përmes avancimit të infrastrukturës shkollore, ashtu edhe përmes krijimit të një përvoje shkollore më cilësore dhe më të pasur për nxënësit.
“Me futjen e mësimit me një ndërrim dhe zgjerimin e qëndrimit të zgjatur në shkolla, u sigurojmë fëmijëve më shumë kohë për të mësuar, për t’u shoqëruar, për sport, kreativitet dhe zhvillimin e interesave të tyre. Shkolla nuk është vetëm një vend ku fëmijët fitojnë njohuri. Ajo është një vend ku ne i formojmë ata si personalitete”, theksoi Janevska.
Këtu rol të veçantë kanë mësimdhënësit, të cilët, përveç përcjelljes së njohurive, duhet t’i dëgjojnë nxënësit, t’i kuptojnë nevojat e tyre dhe t’i nxisin të mendojnë në mënyrë të pavarur.
“Çdo fëmijë meriton të ketë shkollë që është e hapur për të. Kjo thuhet lehtë, por në realizimin e saj hasen shumë sfida. Megjithatë, ne jemi këmbëngulës në përpjekjet për të siguruar gjithëpërfshirje më cilësore, më shumë nxënës të regjistruar dhe më pak nxënës që braktisin shkollën”, theksoi Janevska.
Kur bëhet fjalë për fëmijët, asnjë institucion dhe asnjë subjekt tjetër nuk mund të kujdeset i vetëm për mirëqenien e tyre.
“Arsimi nuk mund të funksionojë pa familjen, ndërsa familja ka nevojë për mbështetjen e komunitetit më të gjerë. Kujdesi që një shoqëri tregon ndaj fëmijëve dëshmon se sa e pjekur është ajo shoqëri si tërësi dhe sa është e aftë të mendojë në perspektivë afatgjatë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Prandaj, e mbështes iniciativën ‘I biem kambanës për fëmijët’, e cila përcjell një mesazh të rëndësishëm se të drejtat dhe nevojat e fëmijëve duhet të jenë pjesë e çdo vendimmarrjeje shoqërore, përfshirë edhe vendimet afariste dhe investuese”, përfundoi Janevska.
Dita Botërore e Fëmijëve sivjetë dhe jubileu i UNICEF-it shënohen nën thirrjen globale “Të zgjedhim një të ardhme për fëmijët”, me theks të veçantë në investimin në vitet e para të jetës dhe zgjerimin e qasjes së barabartë në mësimnxënie të hershme, arsim dhe kujdes cilësor për çdo fëmijë.
