UNICEF dhe Bursa e Maqedonisë shënojnë Ditën Botërore të Fëmijëve – fëmijët do t’i bien ziles së bursës në Shkup
UNICEF dhe Bursa e Maqedonisë së Veriut sot, më 20 nëntor, në Shkup do të shënojnë Ditën Botërore të Fëmijëve me aktivitetin “Biem ziles për fëmijët”, i cili njëkohësisht do të shënojë fillimin e aktiviteteve për 80-vjetorin e themelimit të UNICEF-it.
Ngjarja do të mbahet nga ora 9:30 deri në 10:30, në atriumin e qendrës tregtare “Diamond Mall”. Në orën 10:00, fëmijët do t’u bashkohen përfaqësuesve të UNICEF-it, Bursës së Maqedonisë dhe partnerëve kombëtarë për t’i rënë në mënyrë simbolike ziles së bursës.
Përmes kësaj iniciative, organizatorët synojnë të riafirmojnë përkushtimin që të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të jenë në qendër të vendimeve që përcaktojnë të ardhmen e vendit.
Në aktivitet do të mbajnë fjalime Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it, Ivan Shteriev, drejtor ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë, Gjoko Velkovski, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës, si dhe Petar Petroviq, drejtor kryesor për burime njerëzore në kompaninë “Alkaloid”.
Dita Botërore e Fëmijëve shënohet më 20 nëntor dhe i kushtohet promovimit të të drejtave, mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve. Kjo datë lidhet me miratimin e Deklaratës për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1959 dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1989.
Këtë vit, Dita Botërore e Fëmijëve është ditë globale e UNICEF-it për veprim për fëmijët dhe nga vetë fëmijët, nën moton: “Dita ime, të drejtat e mia, e ardhmja ime”.
Nga UNICEF-i theksojnë se të gjithë fëmijët kanë të drejtë të dëgjohen dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë në jetën dhe të ardhmen e tyre.
Vendimet që merren sot, në një kohë kur po shtohen konfliktet, goditjet klimatike dhe pabarazia, do të përcaktojnë të ardhmen e çdo fëmije.