Jovançev: Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2023 ka kërkuar bashkëpunim afarist me Alta Bankën nga Serbia
Në seancën e sotme mbikëqyrëse në Kuvend, në kuadër të Komisionit për Financim dhe Buxhet, me temë “Arsyet për vendosjen e administrimit në ALTA Banka SHA Manastir, roli dhe veprimi i Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”, u drejtua deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Zoranço Jovançev, i cili theksoi se në vitin 2023, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja kishte sjellë një vendim me të cilin kërkohej vendosja e marrëdhënieve afariste me Alta Banka SHA Beograd. Ai theksoi se në atë periudhë kishte filluar edhe procesi i lidhur me shitjen e aksioneve të Stopanska Banka SHA Manastir.
“Nuk do t’ju parashtroj pyetje nëse jeni të njoftuar me vendimin e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së që sot e publikoi kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit po ajo qeveri kishte kërkuar hyrjen në marrëdhënie afariste me Alta Banka SHA Beograd, ku kryeministër ishte Dimitar Kovaçevski, kolegu ynë, ndërsa edhe më shumë nga kolegët deputetë kanë qenë pjesë e asaj qeverie të LSDM-së dhe BDI-së. Përndryshe, mbledhja është mbajtur më 24.10.2023 dhe pikërisht në atë periudhë në njëfarë mënyre ka filluar dhe është miratuar shitja e aksioneve të Stopanska Banka SHA Manastir”, tha Jovançev.
Në fjalimin e tij, deputeti iu referua edhe vendimit të Bankës Popullore për vendosjen e administrimit të përkohshëm në Alta Banka SHA Manastir, duke theksuar se qëllimi i kësaj mase është të sigurojë funksionim të pandërprerë dhe mbrojtje të mjeteve dhe interesave të kursimtarëve dhe kreditorëve.
“Banka Popullore e RM-së vendosi administrim të përkohshëm në Alta Banka SHA Manastir ekskluzivisht për shkak të zhvillimeve të lidhura me aksionarin e saj me pjesëmarrje të kualifikuar. Në paraqitjet tuaja theksuat se vendosja e administrimit të përkohshëm nuk nënkupton mbylljen e Alta Banka SHA Manastir dhe as aktivizimin e mekanizmit për pagesën e depozitave përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave. Përkundrazi, theksuat se qëllimi i kësaj mase të përkohshme mbrojtëse është që banka të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje, mjetet e klientëve të mbeten në llogaritë e tyre, ndërsa pasuria dhe interesat e të gjithë kursimtarëve dhe kreditorëve të tjerë të mbrohen deri në zgjidhjen e gjendjes pronësore dhe se bëhet fjalë për një masë të përkohshme mbrojtëse, e jo për procedurë të mbylljes së bankës”, tha Jovançev.
Jovançev kërkoi përgjigje edhe nga zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procesi i dhënies së pëlqimit për një aksionar me pjesëmarrje të kualifikuar në bankë dhe nëse janë respektuar të gjithë hapat e nevojshëm.
“Si është zhvilluar procesi i dhënies së pëlqimit për një aksionar me pjesëmarrje të kualifikuar në bankë dhe a janë respektuar në këtë rast të gjitha hapat dhe procedurat e parapara? Kush ishte blerësi i aksioneve të Stopanska Banka SHA Manastir?”, pyeti Jovançev.