Rajoni i Pollogut gjatë 19 nëntorit është përballur me disa ngjarje të ndryshme, që nga një zjarr në një banesë, arrestime për shkelje të ligjit, përleshje fizike, kërcënime dhe një rast të dhunës në familje informon Tetovasot.
Sipas SPB Tetovë, rreth orës 10:05 është raportuar se në fshatin Gradec të Gostivarit ka shpërthyer zjarr në një shtëpi në pronësi të F.S. (42). Zjarri është lokalizuar dhe shuar nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit e Gostivarit dhe ajo e Vrapçishtit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Këqyrjen e vendit e ka kryer ekipi inspektues i NPB Gostivar.
Po gjatë ditës, në rrugën “Braqa Gjinovski” në Gostivar, policia ka arrestuar F.E. (40) nga fshati Sërmnovë, pasi gjatë një kontrolli rrugor u konstatua se drejtonte një automjet “Fiat” pa poseduar patentë shoferi. Pas dokumentimit të rastit do të ngrihet parashtresë përkatëse.
Në një tjetër rast, policia ka privuar nga liria M.A. (38) nga Reçica e Vogël dhe Q.I. (40) nga fshati Zdunje. Dy personat, të punësuar në kompani private dhe të angazhuar në të njëjtin projekt, dyshohet se pas një debati verbal janë përleshur fizikisht. Edhe për këtë rast do të pasojë kallëzim përkatës.
Në Tetovë, një 43-vjeçar ka raportuar në polici se një person me inicialet A.H. e ka kërcënuar përmes telefonit atë dhe familjen e tij. Autoritetet po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, në Gostivar është arrestuar edhe Sh.O. (68), pasi bashkëshortja e tij ka raportuar se ai e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. Pas dokumentimit të rastit do të ngrihet kallëzim përkatës.
Po ashtu, në Hanet e Mavrovës, zyrtarët policorë kanë arrestuar katër shtetas të Republikës së Shqipërisë – L.H. (30), L.L. (34), S.L. (39) dhe Ç.S. (52). Sipas policisë, ata janë kapur duke kryer punime ndërtimore, ndonëse në vend kishin hyrë me qëllim të deklaruar për qëndrim turistik. Të njëjtit janë mbajtur në stacion policor për procedurë të mëtejshme.
Autoritetet njoftojnë se për të gjitha rastet po vijojnë procedurat ligjore dhe pas dokumentimit të plotë do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.