Një skandal i dyshuar përgjimesh ka vënë në lëvizje autoritetet në Indonezi. Në qendër të hetimeve është vetë presidenti i vendit, Prabowo Subianto, i cili dyshohet se është përgjuar në mënyrë të paligjshme.

Por çështja nuk përfundon këtu. Sipas hetuesve, në shënjestër të përgjimeve kanë qenë edhe ministra, politikanë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesmenë.

Për këtë rast janë arrestuar tre gjeneralë të lartë të policisë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se përgjimi i kreut të shtetit mund të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Në të njëjtën kohë, në kryeqytetin Xhakarta ka nisur një operacion i madh ushtarak. Mbi 20 mijë e 900 ushtarë do të dislokohen në qytet, ndërsa mbi 13 mijë të tjerë do të qëndrojnë në gatishmëri.

Zyrtarisht, ushtria thotë se bëhet fjalë për masa të zakonshme të sigurisë kombëtare dhe nuk konfirmon lidhje të drejtpërdrejtë me hetimet për përgjimet.

Sipas policisë, të dyshuarit kanë urdhëruar edhe fshirjen e materialeve të mbledhura, në përpjekje për të zhdukur gjurmët. Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë deri në 10 vjet burg.

Ndërkohë, ekspertët kërkojnë të zbulohet jo vetëm kush qëndron pas përgjimeve, por edhe kush përfitonte nga mbledhja e informacioneve sekrete.

Një skandal që ka ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë e presidentit dhe funksionimin e institucioneve në Indonezi.