„Kjo bankë nuk do të falimentojë, siç ishte, për shembull, rasti me Eurostandard Bankën, e cila falimentoi pasi disa ditë më parë ministri i Financave në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së kishte tërhequr depozitën e vetë të kursimeve, gjë që paraqet vërtet një skandal“, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend, gjatë seancës mbikëqyrëse për gjendjen në Alta Banka – Manastir.

Mickoski e vlerësoi rastin e Eurostandard Bankës si një mënyrë brutale të falimentimit të një institucioni financiar.

„Ky është një rast brutal i falimentimit të një institucioni financiar, pasi paraprakisht likuiditeti i tij është shteruar përmes dhënies së kredive, të cilat ndikojnë në aktivën e vetë bankës, por edhe në likuiditetin e bankës, si dhe përmes kompanive që lidhen me një parti politike e cila sot është pjesë e opozitës. Por, për këtë ekziston një proces gjyqësor, i cili do t’u japë përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve dhe do të shohim se cilat janë ato kompani, kush janë pronarët e tyre dhe si këto kompani e kanë shteruar bankën deri në atë gjendje sa ajo të falimentojë brenda natës dhe njerëzit, deri më sot, të mos mund t’i marrin paratë e tyre“.

Mickoski ngriti gjithashtu çështjen nëse partia politike E Majta, e cila kishte pasur depozitë kursimi në Eurostandard Bankën, kishte arritur t’i tërhiqte paratë e saj nga kursimet.

„Nuk e di nëse ka arritur t’i marrë paratë një parti politike, e cila gjithashtu kishte atje një depozitë kursimi prej 250 mijë eurosh. Bëhet fjalë për partinë politike E Majta dhe nuk e di nëse ata arritën t’i tërhiqnin paratë e kursimeve që kishin në bankë, pasi gjatë këtyre 12 viteve të funksionimit të asaj partie politike, përveç pushimeve të shtrenjta në Detin Egje, blerjeve në butikët në, siç kanë qejf ta quajnë, Selanik, hapësirave afariste, restoranteve, fyerjeve, nuk kemi parë asgjë tjetër nga ajo parti politike. Natyrisht, edhe depozitën e kursimeve që e shohim në këtë bankë të falimentuar. Nuk e di nëse kjo do të ndikojë në koalicionin LSDM–E Majta, pasi LSDM-ja e falimenton bankën në të cilën janë të bllokuara mjetet dhe kapitali i partisë politike E Majta“, theksoi Mickoski në Kuvend.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume