Në seancën e sotme mbikëqyrëse për Alta Bankën, në kuadër të Komisionit Parlamentar për Financim dhe Buxhet, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Borisllav Kërmov nëse do të mbajë përgjegjësi në rast se Alta Banka shkon në falimentim dhe si do të shitet Alta Banka nëse nuk ka leje nga Agjencia për Sigurimin e Depozitave të Serbisë, theksoi se, nëse nuk e njeh procedurën dhe mënyrën se si mund të veprohet për zgjidhjen e situatës, më së miri është të mos pengojë duke përhapur thashetheme, por t’ua lërë çështjen njerëzve që dinë ta zgjidhin atë, në mënyrë që banka të gjejë blerës dhe të vazhdojë të funksionojë.

„Sa i përket falimentimit, mendoj se nuk e njihni metodologjinë dhe mënyrën se si veprohet në këtë periudhë, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Megjithatë, supozoj se njerëzit e thirrur nga Banka Popullore do t’ju japin përgjigje, ndonëse unë e njoh procedurën dhe ajo që po pretendoni është absolutisht e pasaktë dhe e pavërtetë.

Prandaj, ju lutem edhe juve, me gjithë mirësjelljen, nëse nuk dëshironi të ndihmoni, ju lutem mos pengoni. Lërjani atyre që dinë dhe që dëshirojnë të ndihmojnë që ta zgjidhin këtë çështje, në mënyrë që banka të mos shkojë në falimentim, por të gjejë një blerës dhe blerësi më pas ta rregullojë dhe ta menaxhojë atë ashtu siç mendon se duhet. Natyrisht, në përputhje me të drejtën e zbatueshme dhe ligjet që ka Banka Popullore dhe shteti“, theksoi Mickoski.

Lidhur me pyetjen e deputetit Kërmov se paska thashetheme që Qeveria u kishte rekomanduar institucioneve maqedonase të depozitonin mjete në Alta Bankë, Mickoski theksoi se ai kurrë nuk do të përfshihej në aventura të tilla dhe se seanca mbikëqyrëse nuk duhet të bazohet në thashetheme, por në fakte.

„Sa u përket thashethemeve, unë, nga ana ime, kam dëgjuar disa thashetheme të tjera, se ju si parti politike keni kërkuar kamatë më të lartë për të depozituar më shumë para me afat të caktuar, me qëllim që të blini një hapësirë afariste në Manastir. Meqenëse nuk ju është ofruar normë e favorshme interesi në atë bankë, jeni përpjekur në një bankë tjetër dhe me kredinë që keni marrë keni blerë një hapësirë afariste në katin e parë, ndërsa në përdhesë keni hapur një bar kafe. Edhe të tilla thashetheme ka.

Tani të shohim se cilave thashetheme do t’u besojmë dhe nëse thashethemet janë mjet i duhur në politikë apo përfaqësojnë një mjet manipulimi. Prandaj, unë do ta ruaja dinjitetin dhe nivelin e kësaj seance mbikëqyrëse dhe do t’u përmbahesha fakteve, e jo thashethemeve, sepse nëse flasim për thashetheme, atëherë do të na duhen edhe shumë seanca të tjera të tilla mbikëqyrëse.

Prandaj, është më mirë të mos flasim për thashetheme, por t’u përmbahemi fakteve. Fakte të tilla absolutisht nuk ekzistojnë. As unë, e as dikush tjetër nuk ka ndërmend të veprojë në atë mënyrë, sepse në jetë ekziston një mësim kyç që duhet ta mësoni, të mos i përsërisni gabimet e atyre që tashmë i kanë bërë ato gabime. Ndërsa politikanë të tillë që kanë inkurajuar ose inkurajojnë veprime të tilla i shohim jo vetëm në rajon, jo vetëm në vendin tonë, por edhe pak më gjerë.

Prandaj, as që më shkon ndërmend të përfshihem në çfarëdo aventure të këtij lloji, për të cilat ju dëgjoni thashetheme“, theksoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume