Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në rubrikën „Tema e ditës“ në edicionin e lajmeve të televizionit Sitel, duke folur për krizën energjetike, theksoi se, ndërkohë që çmimet e energjensëve në Evropë janë shumë më të larta, kjo Qeveri bën gjithçka që qytetarët të paguajnë sa më lirë që të jetë e mundur. Ai theksoi se deri më tani situata po menaxhohet me sukses dhe nuk ka rritje të mëdha të çmimeve, siç ndodh në vendet e tjera.

Lidhur me atë se me çfarë krize po përballemi, kryeministri Mickoski theksoi se kjo krizë energjetike është epike në disa aspekte, e më së shumti për faktin se zgjat dhe nuk ndalet, përkundrazi, bëhet gjithnjë e më e rëndë. Ajo filloi diku nga fundi i muajit shkurt dhe ja, sot jemi në javën e dytë të nëntorit, ndërsa çmimet e energjisë elektrike në bursat e energjisë prej disa muajsh tashmë mbajnë nivelin mbi 300 euro për megavat-orë. Gjithashtu, nëse vitin e kaluar, në fillim të sezonit të ngrohjes, gazi kushtonte 28, 30 ose 32 euro për megavat-orë, sot kushton 85, 86 euro, ndërsa ka pasur edhe kulme mbi 100 euro për megavat-orë.

„E gjithë kjo, si resurs dhe lëndë e parë, përfshihet në çmimin përfundimtar të produktit final, në këtë rast, në ngrohjen e një pjese të Shkupit, ndërsa energjinë elektrike e përdorin qytetarët. Ne nuk kemi pasur problem, përkatësisht të gjitha këto deri më tani i kemi menaxhuar shkëlqyeshëm. Që të vazhdojmë t’i menaxhojmë shkëlqyeshëm, që të mos ketë rritje të mëdha të çmimeve, siç po ndodh gjithandej në Evropë, ku çmimet e këtyre energjensëve po rriten dy ose tri herë, ne parashikojmë skenarë të mundshëm dhe krijojmë modele që do të mundësojnë të mos ketë rritje të mëdha të çmimit të energjisë elektrike dhe të çmimit të ngrohjes në Shkup“, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski sqaroi se, bazuar në këtë model që po krijohet, nuk pret që të ndodhin rritje të tilla të mëdha, të cilat do të shkaktonin edhe rritje të mëdha të kostos së jetesës, përkatësisht të inflacionit. Ai theksoi se do të lëvizim brenda kufijve të normës mesatare vjetore të inflacionit që aktualisht është 3,5–4% në Maqedoni.

„Ky model do të jetë unik dhe vlerësoj se, nëse arrijmë ta realizojmë, ndërsa këtë dimër do të duhet të punojmë ditë për ditë, do të kemi një dimër të sigurt, para së gjithash, me energjensë të siguruar dhe, ajo që për mua është e dyta për nga rëndësia, të mos kemi rritje të mëdha të çmimeve të këtyre dy energjensëve. Sa i përket çmimit të karburanteve, do të pajtoheni se situata prej kohësh është jashtëzakonisht sfiduese. Tek ne, nafta dizel ka çmim nën 1,5 euro për litër, ndërsa në rajon dhe në Evropë çmimi është mbi 2 euro, diku 2,5 ose 2,8 euro. Këtu do ta ruajmë politikën e çmimeve të ulëta, sepse vlerësojmë se në këtë mënyrë e mbrojmë standardin e jetesës aq sa mundemi. Të gjithë do të pajtohemi se jetojmë në një kohë sfidash të mëdha globale dhe, do të thosha, në një gjendje pasigurie“, tha kryeministri Mickoski.

Sa i përket inflacionit, kryeministri Mickoski theksoi se, ashtu si në shtator dhe tetor, edhe në muajt paraprakë kemi pasur inflacion më të ulët se ai evropian, por edhe se ai i vendeve të rajonit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume