Në rubrikën „Tema e ditës“ në edicionin e lajmeve të Televizionit Sitel, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, shprehu dyshimin se buxheti i gjyqësorit dhe i prokurorisë është shkaku i rezultateve të dobëta në sistemin e drejtësisë.

„Unë mund t’ju garantoj se nuk bëhet fjalë për paratë. Ja, tani, përmes buxhetit gjyqësor, gjykatat në Maqedoni morën miratim për punësimin e mbi 200 personave, ndërsa vitin e ardhshëm do të marrin miratim edhe për po aq punësime. Pagat e gjyqtarëve janë rritur dhe presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për prokurorët, por, pavarësisht nëse ai do të jetë pozitiv apo negativ edhe ata do të marrin rritje të pagave. Do të vijmë në një situatë në të cilën, le të themi, shumë prej gjyqtarëve në gjykatat e apelit do të kenë pagë më të lartë se kryetari i Qeverisë. Por le të jetë edhe kështu. Ju garantoj se edhe sikur t’u japim gjithë arin e botës, nëse nuk kanë ndjenjë përgjegjësie dhe dashuri për drejtësinë, gjithçka është e kotë“, theksoi Mickoski.

Mickoski theksoi se, me buxhetin aktual, parashikohen shumë më tepër mjete për prokurorinë dhe gjyqësorin sesa më parë, si dhe më shumë se në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

„Unë flas për një grup të vogël njerëzish, të cilët i kontaminojnë të tjerët. Ja, për shembull, cila është përgjegjësia e Gjykatës Supreme? A pyet dikush se si punon Gjykata Supreme? Pse Departamenti Penal pranë Gjykatës Supreme vazhdimisht anulon lëndë në të cilat janë të përfshirë funksionarë të BDI-së dhe i kthen në shkallë të parë, në mënyrë që të vjetrohen? Qytetarët janë të shokuar nga vendime të tilla. Prandaj them se mund të keni gjyqtarë të shkëlqyer, dhe ka qindra vendime të shkëlqyera të gjyqtarëve të bazuara në të drejtën, por një vendim i tillë i anulon të gjitha. Sepse ky është një vendim politikisht i ndjeshëm, kur ju, si gjyqtarë të Gjykatës Supreme, ktheni një lëndë që ka kaluar në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit përsëri në fillim, sepse e dini se ajo lëndë do të vjetrohet dhe nuk ka kohë që personi të dënohet me vendim të formës së prerë“, theksoi Mickoski.

Ai i ftoi mediat që të verifikojnë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në marrjen e vendimeve për rastet „Llaskarc“ dhe „Spitali modular“, si dhe arsyet për të cilat janë marrë këto vendime. Sipas tij, vendime të tilla i frustrojnë qytetarët dhe atë personalisht, pasi krijojnë ndjenjën se nuk ka luftë kundër kriminalitetit.

„A keni dëgjuar ndonjëherë për llogaridhënie të Gjykatës Supreme, ja, për Departamentin Penal? A i keni parë se cilët janë gjyqtarët aty, në Departamentin Penal? Ja, verifikoni“, tha Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume