Mickoski: Situata në Evropë është jashtëzakonisht alarmante, por do të përpiqemi të mos ketë shtrenjtim
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me krizën energjetike dhe çmimet e energjensëve, deklaroi:
„Situata në Evropë është jashtëzakonisht alarmante. Kur them jashtëzakonisht alarmante, kam parasysh termocentralet bërthamore të fikura, nivelin e ulët të ujit, nivelet e ulëta të gazit në depozita, ndërsa çmimet në bursat e energjisë janë vërtet në nivelet më të larta historike, 400–500 e madje edhe më shumë euro për megavat-orë. E njëjta gjë vlen edhe për gazin. Kjo po ndodh në vazhdimësi që nga gjysma e dytë e muajit gusht, ndërsa tani tashmë jemi pothuajse në mesin e muajit nëntor. Dhe jo vetëm që situata nuk po qetësohet, por përkundrazi, po përkeqësohet, çmimet rriten nga dita në ditë. Dje e ndoqa çmimin e gazit edhe këtë mëngjes dhe ai përsëri kaloi mbi 90 euro për megavat-orë. Javën e kaluar ra diku në rreth 80 euro, ndërsa tani përsëri është mbi 90 euro për megavat-orë.
Çfarë po bëjmë ne? Ne, si Qeveri, përkatësisht SHA EMV, në thirrjen publike të EVN Home do të dorëzojmë ofertë me të njëjtin çmim si vitin e kaluar. Kjo do të thotë se nuk do të kërkojë rritje të çmimit.
Sa i përket asaj që varet nga shteti, ne do të përpiqemi të mbajmë çmimin në të njëjtin nivel, përkatësisht të mos ketë shtrenjtim. Por këtë nuk mund ta them tani për subjektet private që marrin pjesë, pasi kjo është politikë e tyre sovrane dhe unë nuk mund të ndërhyj në këtë. Por, sa i përket asaj që varet nga shteti, ne krijuam një model të tillë, të cilin gjatë ditëve të fundit e kemi përpunuar së bashku me SHA EMV, ish-ELEM. Hartuam një plan biznesi me të cilin nuk do të kërkojmë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Produkti do të ofrohet me të njëjtin çmim. Po flas për kompanitë shtetërore, kompaninë shtetërore SHA EMV, e cila në fund të vitit 2027 do të synojë të realizojë fitim. I tillë është modeli i biznesit që kemi krijuar dhe tani të shohim nëse do të funksionojë.
Sa i përket ngrohjes qendrore, këtu kërkohet rritje shumë e madhe e çmimit. Çmimi i gazit është tri herë më i lartë se çmimi i vitit të kaluar për të njëjtën periudhë. Por edhe këtu do të luftojmë që të mos ketë rritje alarmante të çmimit, përkatësisht që ajo të jetë brenda kufijve të asaj që mund të përballohet, në maksimumin e mundshëm. Me këtë do të jemi vendi me çmimet bindshëm më të ulëta në Evropë për naftën, benzinën pa plumb, energjinë elektrike dhe ngrohjen.
Kështu që, prioriteti ynë është mbrojtja e standardit të jetesës, por situata është e rëndë, situata është alarmante dhe nuk e di deri kur do të mund të përballohet kjo. Megjithatë, deri në këtë moment, me mekanizmat që i kemi në dispozicion dhe me zgjidhje kreative, po arrijmë t’i bëjmë ballë këtij presioni.“