Gjithnjë e më shpesh, drejtues institucionesh po marrin rolin e gjykatësit, duke shkelur pa skrupuj ligjin dhe duke vendosur sipas vullnetit personal nëse gjuha shqipe duhet të përdoret në komunikimin zyrtar.

Denoncimi i fundit vjen nga burime brenda Institutit të Shëndetit Publik, ku mësohet se drejtoresha aktuale, Marija Andonovska, ka urdhëruar të gjithë sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Sipas informacioneve që disponojmë, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit, përmes mesazheve telefonike, se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet vetëm në gjuhën maqedonishte.

Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?

Por, po aq shqetësuese sa këto veprime është edhe heshtja e përfaqësuesve të VLEN-it.

Përfaqësuesit e VLEN-it, përveçse po dëshmohen të paaftë për të mbrojtur gjuhën shqipe, tashmë po bëhen edhe të shurdhër përballë shkeljeve flagrante të ligjit.

Në vend që të shfrytëzojnë mekanizmat juridikë dhe institucionalë për të garantuar zbatimin e tij, ata kanë zgjedhur heshtjen dhe indiferencën.

Çfarë kuptimi ka pjesëmarrja e tyre në Qeveri nëse nuk janë në gjendje të mbrojnë as respektimin e një ligji që tashmë është në fuqi?

Heshtja e tyre nuk është më vetëm paaftësi politike, por po shndërrohet në inkurajim për të gjithë ata funksionarë që marrin guximin të shkelin ligjin.

Dhe që ironia të jetë edhe më e madhe, veprime të tilla, si rasti i Institutit të Shëndetit Publik, vijnë vetëm disa ditë pas publikimit të raportit më negativ për Maqedoninë e Veriut nga Këshilli i Evropës, ku, mes të tjerash, evidentohen shprehimisht edhe problemet me respektimin e të drejtave gjuhësore.

Në vend që ky raport të shërbente si alarm për Qeverinë, po dëshmojmë të kundërtën: funksionarë që sillen sikur qëndrojnë mbi ligjin dhe përfaqësues politikë që heshtin përballë tyre.

Prandaj, sot i drejtohemi drejtpërdrejt Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut:

Shqyrtoni me kujdes dhe vëmendje veprimet e funksionarëve tuaj, të cilët po marrin guximin të vendosen mbi ligjin!

Kërkojmë përgjegjësi konkrete për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Dhe përfundimisht, është koha që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të dalë nga strofulla e turpit dhe të fillojë të kryejë detyrën për të cilën është themeluar!

Inspektorati duhet të ndërmarrë menjëherë mbikëqyrje institucionale dhe veprimet adekuate juridike kundër të gjithë atyre që shkelin ligjin në fuqi, pa dallim funksioni apo përkatësie politike.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje dëshire dhe as objekt pazari politik. Ai është detyrim që duhet të respektohet nga të gjithë.

Askush nuk ka mandat të vendoset mbi ligjin dhe askush nuk ka të drejtë ta shpallë të pavlefshme gjuhën shqipe në institucionet e këtij shteti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume