SHKUP – Pas më shumë se 15 vitesh jashtë funksionit, pishina e Akademisë Policore në Idrizovë është rinovuar plotësisht dhe është rikthyer në shërbim të policisë së Maqedonisë së Veriut. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili vizitoi sot objektin e restauruar.
Sipas informacioneve që përcjell Tetovasot, investimi për rikonstruksionin e pishinës kap vlerën e rreth 5.7 milionë denarëve, ndërsa punimet janë përfunduar brenda më pak se tre muajve.
Gjatë vizitës, ministri Toshkovski ndoqi nga afër testimin e aftësive notuese të kandidatëve që synojnë të bëhen pjesë e Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigar”, duke theksuar rëndësinë e këtij objekti për përgatitjen profesionale të efektivëve të policisë.
“Një objekt që për më shumë se 15 vjet ishte lënë në harresë, e rikthyem në funksion për më pak se tre muaj. Ky është dallimi mes neglizhencës dhe rezultateve konkrete. Me një investim prej rreth 5.7 milionë denarësh krijuam kushte që kjo pishinë t’u shërbejë sërish policëve për trajnim, avancim profesional dhe ruajtjen e gatishmërisë fizike”, deklaroi Toshkovski.
Siç mëson Tetovasot, pishina do të përdoret për trajnimin e policëve të rinj, ushtrime të njësive speciale, stërvitje për operacione shpëtimi dhe për ruajtjen e përgatitjes fizike të pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Objekti ka edhe një vlerë historike, pasi në vitin 1977 aty janë xhiruar skena të filmit kult maqedonas “Ngrihu, Delfina”, i frymëzuar nga arritjet sportive të notares së njohur Atina Bojaxhi.
Tetovasot raporton se rikthimi në funksion i pishinës është pjesë e investimeve më të gjera për modernizimin e policisë. Në periudhën e fundit janë rinovuar ambientet e Akademisë Policore në Idrizovë, është rikthyer Shkolla e Mesme Policore, janë siguruar automjete të reja policore, ndërsa së shpejti pritet edhe furnizimi me uniforma të reja moderne për efektivët.
Ministri Toshkovski theksoi se investimet në infrastrukturë dhe në zhvillimin profesional të policëve do të vazhdojnë, me synimin për të ndërtuar një polici më të përgatitur dhe një shtet më të sigurt.