Një 31-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Itali, ndërsa tre fëmijë të mitur mbetën të plagosur. Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini.

Aksidenti ndodhi sot rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone. E reja po shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.

Sipas informacioneve paraprake automjeti tip “Ford Fiesta” humbi kontrollin në një kthesë, për shkak të lagështirës në rrugë nga reshjet e shiut. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të automjetit. Përplasja ishte aq e fortë sa makina përfundoi e përmbysur mbi strukturën prej betoni.

Emanuela mbeti e bllokuar në automjetin e shkatërruar. Zjarrfikësve iu desh të ndërhynin për ta nxjerrë, ndërsa ekipet mjekësore i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.

Në automjet ndodheshin edhe tre të mitur: djali 6-vjeçar i 31-vjeçares, vajza e saj 4-vjeçare dhe një shoqe e tyre 10-vjeçare. Sipas raportimeve, fëmijët arritën të dilnin vetë nga makina pas aksidentit.

Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe solidaritetin me të afërmit në këtë moment të vështirë.

“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj, me të cilët jemi pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume