Duke folur në një paraqitje publike më herët gjatë ditës së sotme, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka kritikuar ashpër Real Madridin, duke e akuzuar se po e zvarrit çështjen Negreira vetëm për ta dëmtuar Barcelonën.

Çështja që lidhet me pagesat e Barcelonës ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira, vazhdon të jetë nën hetim nga gjykatat spanjolle.

Deri më tani, nuk ka pasur prova që tregojnë për ndonjë shkelje apo korrupsion sportiv nga ana e Barcelonës, por Real Madridi vazhdon ta sulmojë klubin katalunas, duke e cilësuar këtë rast si skandalin më të madh në historinë e futbollit.

Tani, Tebas e ka akuzuar Real Madridin se ka filluar të interesohet për çështjen Negreira vetëm pasi Barcelona u largua nga projekti i Superligës dhe se klubi madrilen po e zvarrit procesin vetëm për t’i dëmtuar rivalët e tij.

“Po e zgjasin çështjen Negreira si çamçakëz. Real Madridi mendon se Negreira ndodhet në zhveshtoren e çdo gjyqtari, në çdo stadium ku luan Real Madridi”, tha ai.

Duke theksuar se La Liga u ishte drejtuar prokurorëve lidhur me çështjen Negreira para Real Madridit, ai shtoi:

“Dua t’ia kujtoj Real Madridit se ne iu drejtuam prokurorisë para se ta bënte këtë Real Madridi. Presidenti i Real Madridit ishte pjesë e bordit drejtues për gjashtë muaj pasi çështja Negreira doli në dritë.

Në një asamble të përgjithshme, ai mbrojti klubin e mikut të tij të atëhershëm, ndërkohë që ai ishte pjesë e Superligës. Ditën kur Barcelona u largua, duket se gjithçka ndryshoi”.

Më tej, Tebas e kritikoi sërish Real Madridin për zvarritjen e çështjes përtej asaj që, sipas tij, do të duhej, duke i cilësuar veprimet e klubit madrilen ndaj Barcelonës si “të papranueshme”.

“Duhet të thuhet qartë se ajo që po ndodh me sulmet e vazhdueshme ndaj FC Barcelonës është e papranueshme, sepse kjo çështje po zvarritet.

Barcelona do të duhet t’i marrë përgjegjësitë e saj nëse është e nevojshme, por në këtë moment nuk mund të fajësohet për asgjë, sepse është Real Madridi ai që po kërkon zgjatjen e procesit”.

Ndërkohë, Tebas e bëri të qartë se ekziston një dallim i madh mes çështjes së Negreiras dhe akuzave me të cilat po përballet Manchester City në Premierligë, duke theksuar se vendimi në rastin e klubit anglez nuk mund të ndikojë në situatën e Barcelonës.

“Çështja e Barcelonës nuk ka të bëjë fare me atë të Cityt dhe kjo nuk mund të ndikojë në sistemin e drejtësisë. Vendimi duhet të merret këtu, në Spanjë”, përfundoi ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume