Protesta kombëtare e paralajmëruar për 28 Nëntor në Tiranë ka mobilizuar strukturat e sigurisë në Shqipëri, në veçanti Drejtorinë e Antiterrorit pranë Policisë së Shtetit, raportojnë mediat në Tiranë. Vëmendja e autoriteteve shqiptare është përqendruar edhe tek aktorët joshtetërorë, grupet e organizuara radikale dhe individët nga vendet e rajonit, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të jenë të përfshirë në agjendat e shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Sipas burimeve të mediave shqiptare, krahas shtimit të masave parandaluese, mësohet se është përgatitur edhe një listë me persona që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

“Bëhet fjalë kryesisht për shtetas të huaj me kombësi shqiptare, të cilët, sipas këtyre burimeve, janë evidentuar nga strukturat e sigurisë dhe mund t’u nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe marrjes në pyetje gjatë tentativës për të hyrë në territorin shqiptar”, raportojnë mediat shqipe.

Sipas informacioneve që pretendohet se disponon Antiterrori shqiptar, disa prej këtyre individëve dyshohet se marrin mbështetje logjistike dhe financiare përmes organizatave joqeveritare, të cilat mund të kenë lidhje me aktorë shtetërorë të interesuar për destabilizimin e Shqipërisë dhe cenimin e sigurisë kolektive të vendeve anëtare të NATO-s.

Shqetësimi i strukturave shqiptare të sigurisë nuk lidhet vetëm me menaxhimin e protestës së paralajmëruar, por edhe me mundësinë që tubimi qytetar të shfrytëzohet nga individë apo grupe të organizuara për provokimin e incidenteve, përshkallëzimin e situatës dhe përplasjet me forcat e rendit.

Sipas burimeve të njëjta, rreziku që po vlerësohet nga Antiterrori nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me shpërthimin spontan të dhunës, por me dyshimet për një organizim të paramenduar, që mund të shfrytëzojë protestën për realizimin e agjendave destabilizuese.

NË FOKUS EDHE SHTETAS NGA MAQEDONIA E VERIUT DHE KOSOVA
Një dimension i veçantë i masave të sigurisë lidhet me mundësinë e përfshirjes së individëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe vende të tjera të rajonit, të cilët, sipas burimeve, janë evidentuar më herët për nxitjen, organizimin apo pjesëmarrjen në akte dhune.

Në këtë drejtim, strukturat shqiptare të sigurisë, në koordinim me partnerët rajonalë, thuhet se po ndërmarrin përgatitje për identifikimin paraprak të personave që mund të paraqesin rrezik për sigurinë publike dhe parandalimin e hyrjes së tyre në Shqipëri.

Shkëmbimi i informacioneve ndërmjet institucioneve ligjzbatuese të vendeve të rajonit, si dhe intensifikimi i kontrolleve në pikat kufitare, pritet të jenë ndër komponentët kryesorë të masave parandaluese në prag të 28 Nëntorit.

Personave të huaj, për të cilët autoritetet disponojnë të dhëna konkrete për përfshirje në veprimtari të dhunshme apo cenim të sigurisë publike, mund t’u refuzohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë.

LISTË E RE ME PERSONA “NON GRATA”?
Ndërkohë, informacione ende të pakonfirmuara zyrtarisht flasin për përgatitjen e një liste të re me persona të padëshirueshëm (non grata) nga strukturat e Antiterrorit në Shqipëri. Në këtë listë dyshohet se mund të përfshihen edhe shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Gjatë këtij viti autoritetet shqiptare kanë shpallur persona të padëshirueshëm Valon Belën dhe Bekir Halimin nga Maqedonia e Veriut, si dhe Ikballe Hudutin nga Kosova, me arsyetimin e pretenduar të cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Shqipërisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume