Publikohen detaje të reja për sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në dyqane: “Fjalëkalimi ishte 12345”
Hulumtuesit e sigurisë kibernetike kanë zbuluar përpjekje të intensifikuara për të hyrë në sistemet e ftohjes të lidhura me internetin, disa ditë para sulmeve ndaj supermarketave në nëntë vende evropiane dhe disa bankave të gjakut në Francë.
Sulmet ndodhën në fillim të nëntorit. Në disa dyqane temperatura në frigoriferë dhe ngrirës arriti deri në 50 gradë Celsius. Për shkak të prishjes së ushqimit, dyqanet u detyruan të hedhin stokun. Në bankat e gjakut në Francë nuk u humb gjak, ndërsa ende nuk dihet kush qëndron pas sulmeve.
Kompania e sigurisë kibernetike “Lupovis” regjistroi midis 20 dhe 30 tetorit më shumë se 276 përpjekje për akses në komponentët e kontroluesve të ftohjes të “Danfoss”. Aktiviteti vinte nga 91 aktorë të ndryshëm potencialë kërcënimi, ndërsa numri më i madh i përpjekjeve u regjistrua më 26 tetor.
Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Xavier Bellekens, sulmuesit përpiqeshin të përdornin fjalëkalime fabrike dhe të shfrytëzonin dobësi të njohura të sigurisë. Përpjekjet u zbuluan përmes “grackave mjalti” – sistemeve të rreme që hulumtuesit i ekspozojnë qëllimisht në internet për të ndjekur aktivitetet e hakerëve.
“Lupovis” zbuloi edhe gjurmë digjitale që sugjerojnë një lidhje të mundshme ruse. Kompania vuri re përdorimin e shërbimeve hostimi që e vështirësojnë çaktivizimin e serverëve dhe bashkëpunimin me policinë, shërbime të cilat më parë i kishin përdorur edhe grupe hakerësh rusë. Megjithatë, kompania thekson se nuk ka prova që të konfirmojnë se Rusia qëndron pas sulmeve.
Ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të nxirren konkluzione përfundimtare për autorët, veçanërisht pasi nuk ka pasur kërkesa për para asnjë pretendim përgjegjësie. Sulmet u bënë të mundura edhe sepse njësitë e kontrollit ishin të lidhura drejtpërdrejt me internetin, ndërsa disa prej tyre ende përdornin të dhëna fabrike për hyrje dhe fjalëkalime të dobëta (si emri i përdoruesit “Supervisor” dhe fjalëkalimi “12345”).
Shqetësimi nuk kufizohet vetëm te sistemet e ftohjes. Dobësi të ngjashme sigurie mund të ekzistojnë edhe te sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit, etiketat elektronike të raftëve, kamerat, alarmet dhe robotët e pastrimit.
Ekspertët paralajmërojnë se një sulm ndaj sistemeve të tilla në spitale ose qendra të dhënash mund të çaktivizojë kamerat ose alarmet pa u vënë re menjëherë se diçka nuk funksionon. Inteligjenca artificiale mund të përshpejtojë më tej zbulimin e dobësive dhe zhvillimin e sulmeve të ardhshme, por nuk ka indikacione se ajo është përdorur në sulmet ndaj sistemeve evropiane të ftohjes.