Dr. Lulzime Qoku
Analiste politike

Në një demokraci, pushteti duhet të jetë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jo mundësi për
privilegje personale. Deputetët, ministrat dhe funksionarët publikë marrin mandate për të
përfaqësuar interesin e qytetarëve, jo për ta vendosur atë në shërbim të interesave të tyre.
Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë i pranishëm një hendek i madh ndërmjet
premtimeve elektorale dhe rezultateve konkrete. Para zgjedhjeve flitet për punësim, drejtësi,
zhvillim ekonomik dhe luftë kundër korrupsionit. Pas marrjes së pushtetit, qytetarët shpesh
përballen me të njëjtat probleme, ndërsa përgjegjësia politike mbetet e paqartë.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen paratë publike, si bëhen punësimet, kush
përfiton nga tenderët dhe nëse funksionarët shmangin konfliktin e interesit. Çdo dyshim serioz
duhet të hetohet, ndërsa çdo shkelje e provuar duhet të marrë përgjigjen ligjore. Nuk duhet
ngatërruar dyshimi me fajësinë, por as të përdoret mungesa e vendimeve për të shmangur
kontrollin.
Pse vazhdon i njëjti cikël?
Problemi nuk qëndron vetëm te individët që vijnë në pushtet, por edhe te dobësia e
mekanizmave që duhet t'i kontrollojnë ata.
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton se zbatimi i strategjisë kundër
korrupsionit mbetet i pamjaftueshëm. Vonesat gjyqësore, mungesa e burimeve dhe vështirësitë
në verifikimin e deklarimeve të pasurisë pengojnë krijimin e rezultateve bindëse në rastet e
korrupsionit të nivelit të lartë. Raporti gjithashtu evidenton rreziqe të larta në prokurimet publike
dhe shqetësime për ndikimin politik në luftën kundër korrupsionit.
Kjo tregon se nuk mjafton të miratohen ligje apo të bëhen deklarata politike. Duhet të ketë
hetime efektive, gjykime brenda afateve të arsyeshme dhe përgjegjësi të barabartë për të gjithë.
Problem tjetër është se korrupsioni shpesh shndërrohet në debat partiak. Kur një skandal prek
një funksionar, në vend të sqarimit të fakteve fillojnë akuzat dhe kundërakuzat politike. Kështu,
qytetari mbetet pa përgjigje, ndërsa përgjegjësia humbet në zhurmën e partive. Përgjegjësinë e
kanë qeveria, opozita dhe institucionet e drejtësisë. Qeveria duhet të garantojë transparencë,
opozita të ushtrojë kontroll serioz, ndërsa organet e drejtësisë të veprojnë pa ndikime politike.

Shqiptarët dhe zhgënjimi nga përfaqësimi

Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo çështje ka edhe një dimension tjetër. Për vite me
radhë, vota është kërkuar në emër të përfaqësimit, barazisë dhe avancimit institucional. Por sot
duhet të shtrohet pyetja: sa janë përmirësuar realisht jeta dhe mundësitë e qytetarëve?
Përfaqësimi nuk matet vetëm me numrin e ministrave, deputetëve apo drejtorëve. Ai duhet të
matet me ndikimin në vendimmarrje, cilësinë e shërbimeve, punësimin e drejtë dhe zgjidhjen e
problemeve të qytetarëve. Të drejtat kolektive janë të rëndësishme dhe duhet të mbrohen, por
ato nuk mund të përdoren si arsyetim për dështimet në qeverisje. Qytetari shqiptar ka të drejtë
t'i kërkojë llogari çdo përfaqësuesi, pavarësisht partisë që përfaqëson.
Pasojat për ekonominë dhe të ardhmen e vendit
Kur qytetarët humbin besimin te institucionet, pasojat nuk mbeten vetëm politike. Ato prekin
edhe ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Të rinjtë nuk largohen vetëm për paga më të larta. Ata kërkojnë një shoqëri ku puna dhe aftësitë
vlerësohen, ku punësimi nuk varet nga lidhjet partiake dhe ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Kur mungon meritokracia, vendi humb profesionistë, potencial ekonomik dhe besimin e brezave
të rinj. Krijohet një rreth i rrezikshëm: qytetarët largohen ose tërhiqen nga politika, ndërsa
sistemi mbetet gjithnjë e më pak i kontrolluar nga shoqëria.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Nevojiten masa konkrete: kontroll më i rreptë i pasurisë së funksionarëve, transparencë në
tenderë, punësime mbi bazën e meritës, hetime të pavarura dhe zbatim i rekomandimeve të
institucioneve mbikëqyrëse. Po aq e rëndësishme është që çdo përfaqësues të raportojë për
punën e tij dhe për premtimet që ka marrë përsipër. Deputeti nuk duhet ta kujtojë qytetarin
vetëm gjatë fushatës zgjedhore.
Qytetarët, nga ana tjetër, duhet të kërkojnë llogari gjatë gjithë mandatit dhe jo vetëm ditën kur
votojnë.
Dhe së fundi qytetari nuk duhet të jetë i rëndësishëm vetëm ditën e zgjedhjeve Maqedonia e
Veriut nuk ka mungesë premtimesh politike. Ajo ka nevojë për një kulturë të re të përgjegjësisë
publike, ku pushteti nuk shihet si shpërblim, por si detyrim ndaj shoqërisë.
Problemi më i madh nuk është se kush e merr pushtetin, por çfarë bën me të pasi e merr. Nëse
pas çdo cikli zgjedhor qytetari mbetet me të njëjtat probleme, ndërsa përfaqësuesit vazhdojnë të
mbrojnë pozitat dhe privilegjet e tyre, atëherë duhet të shtrojmë një pyetje të drejtë:
Kush po i shërben dhe kujt në këtë shtet?

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume