Signal do të bllokojë si parazgjedhje marrjen e pamjeve të ekranit, në përpjekje për të penguar agjentët e inteligjencës artificiale të lexojnë mesazhet private.
Kur aplikacioni zbulon një përpjekje për aksesimin e ekranit, përdoruesit do të njoftohen dhe do të kenë mundësi të çaktivizojnë kufizimin.
Vendimi lidhet me shqetësimet për mënyrën se si agjentët e AI ndërveprojnë me aplikacionet në telefonat dhe kompjuterët personalë.
Reuters raportoi se agjenti Muse i kompanisë Meta arriti të aksesonte bisedat e Signal në një kompjuter Apple dhe një telefon Android, duke përdorur lejet e sistemit operativ. ai fotografoi bisedat, nxori tekstin nga pamjet e ekranit dhe transferoi përmbajtjen në aplikacionin e vet.
Pas këtij rasti, Apple ndërhyri me një përditësim që mbylli këtë mënyrë specifike aksesi. Megjithatë, Signal thotë se rreziku mbetet dhe kërkon nga Apple, Google dhe Microsoft mekanizma më të qartë për t’u mundësuar aplikacioneve të bllokojnë aksesin e agjentëve të IA në mesazhe, njoftime dhe të dhëna të tjera.
Meta deklaroi se agjentët kanë nevojë të shohin dhe të përdorin pajisjet për të kryer detyrat e kërkuara nga përdoruesit, ndërsa aksesimi i aplikacioneve bëhet përmes lejeve të dhëna prej tyre.
Signal paralajmëron se leximi i mesazheve nga ekrani mund të anashkalojë enkriptimin nga fillimi në fund, pasi përmbajtja mund të kopjohet dhe dërgohet në servera të tjerë.
Kompania kërkon më shumë kontroll dhe transparencë mbi mënyrën si sistemet e inteligjencës artificiale përpunojnë të dhënat personale.