Parashtresë në Inspektoratin e Arsimit dhe Komisionin Antikorrupsion: Kërkohet verifikim i ligjshmërisë së zgjedhjes së rektorit!
Një grup anonim i personelit akademik dhe administrativ të UEJL-së ka kërkuar hetim institucional për ligjshmërinë e zgjedhjes së rektorit Sadudin Ibraimi, duke ngritur dyshime serioze për mosplotësimin e kritereve të konkursit dhe konflikt të interesit.
Dy janë çështjet kryesore që kërkohet të hetohen:
1. Njohja e gjuhës angleze. Në aplikimin e tij të datës 3 prill 2025, Ibraimi ka deklaruar njohjen e gjuhës angleze në nivel fillestar-“beginner”, ndërkohë që konkursi kërkonte njohje solide të saj. Kërkohet të verifikohet se si është konstatuar përmbushja e këtij kriteri të detyrueshëm.
2. Konflikti i mundshëm i interesit. Sipas parashtresës, Sadudin Ibraimi dhe Veli Kreci, anëtar i organeve universitare, janë kushërinj të parë. Kreci ka marrë pjesë në votimin e Senatit për tre nga katër kandidaturat për rektor, ndërsa në një fazë të mëvonshme, në Bordin e Universitetit, është përjashtuar nga votimi nga presidenti i Bordit për shkak të konfliktit të interesit me kandidatin Sadudin Ibraimi.
Pse lidhja familjare mes tyre është marrë parasysh në Bord, por jo edhe në Senat?
Parashtresa kërkon këqyrjen e dokumentacionit origjinal, procesverbaleve dhe rezultateve të votimit, si dhe konstatimin e shkeljes së dispozitave ligjore për konfliktin e interesit dhe kriteret e konkursit.
Tashmë pritet që Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Komisioni Antikorrupsion të verifikojnë pretendimet dhe të ndërmarrin masa ligjore për shkeljet e konstatuara.
Me respekt,
Iniciativa për reforma në UEJL.