Skandali në gjigantin Nvidia, dyshime për spiunazh kinez dhe trafikim të çipave AI drejt Pekinit! U thye embargo amerikane
Një skandal që përfshin dyshime për spiunazh kinez, marrëdhënie të dyshuara personale dhe transferim të paligjshëm të teknologjisë së avancuar drejt Kinës ka vënë në qendër të vëmendjes gjigantin amerikan të inteligjencës artificiale Nvidia. Në këtë çështje përmendet edhe Alice Huang, e dyshuar si spiune kineze, e cila është lidhur me ish-drejtuesin e Nvidia-s, Jensen Huang. Ndërkohë, kompania Megaspeed, një nga blerësit më të mëdhenj të çipave Nvidia në Azinë Juglindore, ka nisur një hetim të brendshëm pas raportimeve për dyshime se teknologjia amerikane mund të ketë përfunduar në duart e kompanive kineze, pavarësisht kufizimeve të eksporteve nga SHBA-ja.
Megaspeed, me seli në Singapor, bëri të ditur të dielën se ka angazhuar një ekip të jashtëm ligjor për të hetuar aktivitetin e saj, zinxhirin e furnizimit dhe operacionet ndërkombëtare. Kompania deklaroi se është në dijeni të raportimeve që përmbajnë pretendime për aktivitetin e saj, por këmbënguli se ato nuk mbështeten në prova të verifikueshme.
Ajo theksoi se ushtron aktivitet të ligjshëm dhe se ka ngritur një hetim të plotë të brendshëm për të shqyrtuar pretendimet. Alice Huang, e cila është përmendur në këtë skandal, kishte mbajtur një pozicion drejtues në Megaspeed, por kompania konfirmoi se ajo ishte larguar nga detyra në gusht të vitit të kaluar.
Dyshimet lidhen me mundësinë që Megaspeed të ketë siguruar qasje të fshehtë për kompanitë kineze në çipat e avancuar të Nvidia-s, përmes qendrave të saj të të dhënave në Malajzi, Indonezi dhe Tajlandë. Kjo çështje ka ngritur shqetësime në Uashington, pasi Nvidia-s i ndalohet të shesë çipat e saj më të avancuar në Kinë për shkak të kufizimeve amerikane të eksportit.
Çështja ka marrë edhe përmasa politike në administratën amerikane. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, kritikoi të premten Departamentin e Tregtisë, të drejtuar nga Howard Lutnick, duke e akuzuar për mungesë mbikëqyrjeje në kontrollin e eksporteve të çipave të avancuar.
Në një intervistë për CNBC, Bessent deklaroi se disa agjenci qeveritare kishin kërkuar prej muajsh përfshirjen e Megaspeed në të ashtuquajturën listë të subjekteve të kufizuara, por vendimmarrja i takonte Departamentit të Tregtisë. Kjo listë kufizon marrëdhëniet tregtare të kompanive dhe individëve amerikanë me subjekte të huaja të konsideruara si rrezik për sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, Howard Lutnick është thirrur të dëshmojë muajin e ardhshëm përpara Komitetit të Senatit për Çështjet Bankare, lidhur me rolin e departamentit të tij në lejimin e eksporteve të çipave të avancuar të Nvidia-s. Komitete të tjera të Kongresit u kanë kërkuar atij dhe departamentit që të ruajnë të gjitha dokumentet dhe komunikimet që lidhen me Nvidia-n dhe Jensen Huang.
Edhe Singapori është përfshirë në debat, pasi megjithëse nuk zbaton kufizimet e njëanshme të eksporteve të vendosura nga shtete të tjera, autoritetet presin që kompanitë që operojnë në territorin e tij të respektojnë rregullat përkatëse. Megaspeed ka deklaruar se strukturat e saj të kontrollit të operacioneve dhe zinxhirit të furnizimit janë ndërtuar në përputhje me ligjet amerikane për eksportet dhe rregullat vendore në çdo treg ku ushtron aktivitet.
Nga ana tjetër, Kina ka mohuar që Alice Huang të jetë spiune dhe ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mos e përdorin këtë skandal si pretekst për vendosjen e një bllokade teknologjike ndaj zhvillimit të inteligjencës artificiale.