Driton Sulejmani nga VLEN dhe Ilir Hasani nga BDI janë përplasur në emisionin “Debat në Shenja” lidhur me projektet infrastrukturore dhe raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe VLEN. Sulejmani tha se çështja e Bërvenicës nuk ka ndikuar në raportet mes dy subjekteve politike, ndërsa theksoi se kanë filluar të lëvizin punët në disa projekte të rëndësishme rrugore, përfshirë rrugën Tetovë-Prizren.
“Raportet VMRO-VLEN janë ashtu siç kanë qenë më herët. Çështja e Bërvenicës nuk ka ndikuar në raportin tonë. Shumë punë janë në rrugë për t’u zgjidhur”, deklaroi Sulejmani.
Ai kritikoi qeverisjen e kaluar të BDI-së, duke përmendur se për vite me radhë është folur për rrugën Shkup-Bllacë, ndërsa theksoi se aktualisht kanë filluar të lëvizin punët edhe në projektin Tetovë-Prizren, i cili sipas tij do ta afrojë vendin me Shqipërinë dhe Kosovën.
Nga ana tjetër, Ilir Hasani reagoi ndaj këtyre deklaratave, duke akuzuar VLEN-in për mospërputhje mes deklaratave dhe qëndrimeve të mëparshme për projektet infrastrukturore.
Hasani tha se Korridori 8 ka qenë projekt i BDI-së dhe rikujtoi se, sipas tij, VLEN gjatë kohës në opozitë kishte kundërshtuar këtë projekt, madje kishte ngritur edhe akuza për korrupsion ndaj kompanive të përfshira.
Ai gjithashtu akuzoi qeverisjen e kaluar se kishte ndërprerë procedurat tenderuese për rrugën Shkup-Bllacë me arsyetimin e ndryshimit të trasesë, për të përfunduar më pas sërish në të njëjtën trase.
“Nuk është e këndshme të manipulohet opinioni se ju po e bëni rrugën Shkup-Bllacë”, u shpreh Hasani.
Sulejmani iu kundërpërgjigj duke thënë se qytetarët duhet të shohin rezultatet konkrete dhe jo vetëm deklaratat politike.
“Është realitet. Nuk e di sa mund t’ju besoj juve, kur ato rrugë, ato punë nuk janë askund. S’ka pasur rrugë”, deklaroi Sulejmani.