Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi sot një
takim pune me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
Sh.T. Ola Solström.
Në fokus të bisedimeve ishte Forumi i Parë i ardhshëm i Diplomacisë Energjetike – ,,Burimet e
ripërtëritshme dhe gratë në energjetikë” (First Energy Diplomacy Forum), i cili do të mbahet më
25 nëntor në Shkup, nën organizimin e Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve
minerale, në partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara, UNDP-në dhe Komisionin
Ekonomik të OKB-së për Evropën (UNECE).
Ambasadori Solström shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Ambasadës së Mbretërisë së
Suedisë për mbajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, duke vlerësuar se nisma të tilla janë kyçe
për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër, tërheqjen e investimeve të gjelbra dhe fuqizimin e rolit
të grave në sektorin e energjetikës dhe në diplomacinë energjetike.
Ministrja Bozhinovska shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i jep
vendit tonë, si përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave evropiane, ashtu edhe përmes
mbështetjes së proceseve kyçe të reformave në sektorin e energjetikës.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit folën edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy
vendeve dhe riafirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të tyre. Vëmendje e
veçantë iu kushtua mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit në projektet strategjike
infrastrukturore, modernizimin e rrjetit energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve për burime të
ripërtëritshme të energjisë.
Ministria vazhdon t’i ketë prioritetet kryesore forcimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe
ndërlidhjen rajonale. Përmes thellimit të bashkëpunimit me vendet partnere, si Suedia, ajo synon
të krijojë një shtysë të fuqishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabil të energjetikës në vend.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume