Tenerife u rikthye në fushën e blertë për herë të parë pas vdekjes së Jesus de Miguelit dhe e shënoi këtë rikthim me një fitore emocionuese 2-0 ndaj Ceutas, të dielën.
Nacho Gil e festoi golin e parë duke ngritur fanellën e sulmuesit të ndjerë dhe duke zbuluar një mesazh prekës. Futbollistët, stafi dhe tifozët e nderuan futbollistin me numrin 9 para dhe gjatë ndeshjes, e cila i dha fund serisë prej gjashtë ndeshjesh pa fitore për Tenerifen.
Tenerife u rikthye në aksion të dielën, për herë të parë pas vdekjes së De Miguelit, duke e mposhtur Ceutan me rezultat 2-0 në një pasdite të mbushur me homazhe emocionuese në stadiumin Estadio Heliodoro Rodriguez Lopez.
Sulmuesi 30-vjeçar ndërroi jetë në spital më 3 nëntor, një ditë pasi ishte përplasur me portierin e Andorrës, Jesus Owono, gjatë një ndeshjeje të Segunda Divisionit në të njëjtin stadium.
Sipas “Reuters”, para fillimit të ndeshjes u mbajt një minutë heshtje, e përcjellë me një duartrokitje të gjatë nga tifozët.
Ndërsa në minutën e nëntë, loja u ndërpre sërish për një tjetër moment nderimi, gjatë të cilit në ekranet e stadiumit u shfaq një video e De Miguelit.
Para ndeshjes, në hyrjen numër 9 të stadiumit u zbulua një mural në nderim të tij, duke iu referuar numrit që mbante në fanellë. Futbollistët e Ceutas vendosën lule para muralit, raportoi “The Athletic”.
Lojtarët e të dyja skuadrave dhe gjyqtarët dolën në fushë të veshur me fanella përkujtimore, në të cilat ishin të shkruar emri dhe numri i tij, si dhe mesazhi: “Përgjithmonë në kujtimet tona”.
Himni i klubit nuk u lëshua, pasi tifozët zgjodhën t’i përshëndesnin me duartrokitje të dyja skuadrat. Kapiteni Enric Gallego doli në fushë me lule dhe e vendosi fanellën e De Miguelit në barin e stadiumit, ndërsa tifozët shpalosën një baner me mbishkrimin: “Jesus De Miguel, 9, përgjithmonë bardhekalter”.
Gil e kaloi Tenerifen në epërsi në minutën e 40-të dhe e festoi golin duke ngritur fanellën e De Miguelit para tifozëve. Më pas, sulmuesi zbuloi edhe një mesazh të shkruar nën fanellën e tij, ku thuhej: “Demi (nofka e De Miguelit), gjithmonë në zemrat tona”.
Neal Viereck shënoi golin e dytë katër minuta para fundit, duke vulosur fitoren dhe duke i dhënë fund serisë prej gjashtë ndeshjesh pa fitore.
Kjo ishte fitorja e katërt e Tenerifes në kampionat këtë sezon, ndërsa skuadra renditet në vendin e 14-të në tabelën e Segunda Divisionit. Në anën tjetër, Ceuta vazhdon të mbetet në fund të tabelës.
De Miguel do të nderohet edhe të dielën, kur familja e tij pritet të jetë e pranishme në ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Spanjës dhe Anglisë, në stadiumin Metropolitano.
Tenerife, ndeshja e së cilës kundër Granadas fundjavën e kaluar ishte shtyrë, është zotuar gjithashtu që ta mbështesë financiarisht vajzën njëvjeçare të futbollistit deri në moshën 18-vjeçare.