Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar nga autoritetet turke për kapjen e një personi të armatosur, i cili dyshohet se vrau tetë persona dhe plagosi rëndë një tjetër në lagjen Ihsaniye të provincës Afyonkarahisar në Turqi.

Mes viktimave janë edhe dy mësuese, ndërsa informacionet paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar ndalonte rastësisht automjete në rrugë dhe hapte zjarr ndaj pasagjerëve të tyre.

Ngjarja u zbulua pasi forcat e sigurisë gjetën trupat e pesë personave brenda dy automjeteve të ndryshme, në zonat e fshatrave Ayazini dhe Kıyır.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se i dyshuari, pasi ishte larguar nga vendet e para të sulmeve, ishte drejtuar në një tjetër zonë, ku qëlloi dhe vrau dy persona të tjerë me një pushkë gjahu.

Prefektura e Afyonkarahisarit konfirmoi zyrtarisht se bilanci i sulmeve të armatosura është tetë persona të vrarë dhe një i plagosur rëndë.

Autoritetet turke po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmeve dhe lëvizjet e të dyshuarit, ndërsa po vazhdojnë edhe procedurat për identifikimin e të gjitha viktimave.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume