Prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskoteken “Puls” në Koçan shprehën revoltën e tyre për dinamikën e procedurës dhe rëndësinë e deklaratave të dëshmitarëve të mbrojtjes, pasi në seancën e sotme të gjykimit në sallën e gjyqit në burgun e “Idrizovës” pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup u dëgjuan vetëm dy nga gjithsej shtatë dëshmitarë të thirrur të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit të parë Dejan Jovanov Deko.

Në një deklaratë për mediat pas seancës së sotme, Aleksandar Naunov, në emër të familjeve të viktimave në zjarr, theksoi se nga shtatë dëshmitarët e mbrojtjes të shpallur, vetëm dy u paraqitën, dy u tërhoqën, ndërsa piroteknikun as gjykata dhe as mbrojtja nuk kanë arritur ta gjejnë.

“Parashtrohet pyetja serioze – a ekziston ai piroteknik i famshëm dhe në bazë të cilave të dhëna propozohet si dëshmitar? Dëshmitari Bojan nga Gjevgjelia, megjithatë, nuk i konfirmoi paralajmërimet e mëparshme se ka pasur ndezje të sistemit të zërit. Sipas dëshmisë së tij, nuk ka pasur ndezje, por është lëshuar vetëm tym. Prandaj, lind pyetja se cili është kontributi i vërtetë i deklaratës së tij në përcaktimin e shkaqeve dhe përgjegjësisë për tragjedinë”, deklaroi Naunov.

​Ai theksoi se familjet e të ndjerëve e përjetojnë përsëri traumën e natës fatale në çdo seancë, ndërsa deklaratat e parëndësishme për mbrojtjen nënkuptojnë një ditë tjetër pune dhe mëditje shtesë, ndërsa për shtetin, shpenzime të panevojshme të parave publike.

“Ne nuk kërkojmë privilegje, por një procedurë gjyqësore serioze, efikase dhe të drejtë, në të cilën çdo provë dhe çdo dëshmitar do të kontribuojë në përcaktimin e së vërtetës. Dhimbja jonë është reale, humbja jonë është e pakthyeshme dhe durimi ynë nuk është i pafund. Pas çdo seance gjyqësore qëndrojnë prindër që humbën fëmijët e tyre. Për ne, kjo nuk është një çështje e zakonshme gjyqësore. Kjo është një luftë për të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë për 63 jetët e reja të humbura”, tha Naunov.

Për seancën e sotme, mbrojtja e të akuzuarit të parë Dejan Jovanov propozoi gjithsej shtatë dëshmitarë, nga të cilët të pranishëm ishin vetëm dy, Anastasia dhe Bojan Spasovski.

Nga të tjerët, mbrojtja e Jovanovit tërhoqi dy dëshmitarë, njëri prej të cilëve kishte problem me adresën, ndërsa dy nga ata që u thirrën sot nuk janë në vend dhe kanë paralajmlëruar se do të jenë në gjendje të marrin pjesë në fund të dhjetorit dhe të janarit.

Kanë mbetur edhe 11 dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve. Dy – Stojan Ampov dhe Marija Jovanova – do të sigurohen nga mbrojtja për seancën e ardhshme gjyqësore, ndërsa të tjerëve Gjykata do t’u dërgojë ftesa.

Rasti është në procesin e provave dhe vazhdon më 11 nëntor me paraqitjen e provave nga mbrojtja, e cila ka paralajmëruar më shumë se 240 dëshmitarë.

Gjykimi filloi më 19 nëntor 2025, ku tetë muaj pas tragjedisë në bankën e të akuzuarve janë 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndërkohë, njëri nga të akuzuarit, Lupço Grnçishtanov, vdiq.

Gjykimin po e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Procesi filloi më 19 nëntor 2025, tetë muaj pas zjarrit që ndodhi më 16 mars të vitit 2025 gjatë një ngjarjeje nga grupi DNK, në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa u lënduan më shumë se 200 të tjerë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume