Divock Origi ka zbuluar jetën e tij të papritur si student në Harvard, si shkoi gjithçka keq pas largimit nga Liverpooli dhe çfarë e shtyu Zlatan Ibrahimovicin ta përjashtonte nga skuadra e Milanit. “Asgjë nuk e marr personalisht”, tha ai.

Belgu i ka dhënë fund karrierës si futbollist në moshën 31-vjeçare, ndonëse ndeshjen e tij të fundit zyrtare e kishte zhvilluar në vitin 2024, kur ishte pjesë e Nottingham Forestit.

Te skuadra angleze ishte huazuar pas periudhës zhgënjyese te Milani, ku ishte transferuar si lojtar i lirë nga Liverpooli në vitin 2022.

Pasi nuk arriti ta rikthente formën fizike dhe atë sportive, Origi u largua nga skuadra e parë e Milanit dhe u dërgua te ekipi i të rinjve, Milan Futuro, ku refuzoi të stërvitej me futbollistët e rinj. Kjo situatë u shndërrua në një betejë ligjore që zgjati edhe dy vjet të tjera, derisa kontrata e tij u ndërpre përfundimisht me marrëveshje të dyanshme më 1 janar 2026.

“Isha 27-vjeçar, periudha ime te Liverpooli kishte përfunduar, prandaj dëshiroja të përballesha me një sfidë të re dhe të dilja nga zona ime e rehatisë”, ka rrëfyer Origi për mediumin belg “Het Laatste Nieuws”, në një intervistë të transmetuar nga “La Gazzetta dello Sport”.

“Paolo Maldini ishte i vendosur të më transferonte, ai besonte shumë tek unë. Problemi ishte se kur mbërrita te Milani, isha i lënduar. Nuk isha në gjendje të mirë fizike. Zakonisht, përgatitjet para sezonit i zhvilloja me trajnerin tim personal, por atëherë kjo nuk ishte e mundur”, ka treguar ai.

Në fund, sulmuesi belg regjistroi vetëm 36 paraqitje zyrtare me fanellën e Milanit, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asistim.

Në sezonin pasues u huazua te Nottingham Foresti, ku zhvilloi vetëm 22 ndeshje në Premierligë, me një gol dhe një asistim. Megjithatë, rikthimi i tij në San Siro në vitin 2024 rezultoi fundi i aventurës me klubin italian.

Ishte Zlatan Ibrahimovic ai që mori vendimin për ta përjashtuar Origin nga skuadra e parë dhe për ta dërguar te ekipi i të rinjve, Milan Futuro.

“Asgjë nuk e marr personalisht. Ishte një vendim profesional. Natyrisht, nuk isha i lumtur, por tashmë e kam lënë gjithçka pas. Zlatan mbetet një legjendë”, ka thënë ish-futbollisti.

Megjithatë, Origi u pyet edhe për atë se çfarë kishte ndodhur saktësisht te Milani pas shkarkimit të Maldinit, i cili nuk ishte më aty për ta mbrojtur.

“U përjashtova nga skuadra dhe nuk më lejuan të stërvitesha me pjesën tjetër të futbollistëve. Ekzistonte mundësia të punoja me ekipin Milan Futuro, por ka disa gjëra që, për shkak të kontratës, nuk më lejohet t’i zbuloj.

“Do të them vetëm se nuk pajtohesha me të gjitha këto. Gjatë asaj periudhe te Milani mbeta i përqendruar dhe stërvitesha i vetëm. Njeriu nuk mëson vetëm nga momentet e bukura, por edhe nga ato të dhimbshmet. Gjithçka që përjeton në jetë është një mësim”, ka deklaruar Origi.

Tani belgu po përjeton një lloj tjetër sfide, pasi 31-vjeçari është regjistruar si student në universitetin prestigjioz amerikan, Harvard.

“Të gjithë këtu e dinë se kam qenë futbollist, por tani dëshiroj të punoj në zhvillimin e aftësive të mia sipërmarrëse dhe ta kombinoj këtë me modën dhe dizajnin, që janë pasionet e mia të tjera. Jam person i rezervuar, madje i kam mbyllur edhe mesazhet private në Instagram”, ka përfunduar ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume