Ukraina pretendon se 15 nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi janë jashtë funksionit, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Goditjet ukrainase po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në industrinë ruse të naftës, duke penguar aktivitetin e një numri të madh rafinerish dhe duke ulur kapacitetet e tyre të përpunimit.
Sipas të dhënave të inteligjencës ukrainase, në fund të shtatorit, 15 nga 38 rafineritë kryesore ruse ishin jashtë funksionit, ndërsa 12 të tjera kishin reduktuar kapacitetet e prodhimit, shkruan Sky News.
Një zëdhënës i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës ka deklaruar se vëllimi i përgjithshëm i përpunimit të naftës në këto objekte kishte rënë për 55.4 për qind, krahasuar me fillimin e vitit.
Ndërkohë, sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse po vazhdojnë. Gjatë fundjavës së kaluar, pas goditjeve në disa lokacione, në rafineritë ruse u raportuan zjarre të mëdha.
Zhvillimet vijnë pasi armëpushimi i diskutueshëm mes Ukrainës dhe Rusisë, që kishte të bënte me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, tashmë ka përfunduar.