Ka qenë një javë e ngarkuar në “Old Trafford”, ku dy statistika negative nga ndeshjet kundër Romës dhe Aston Villas kanë nxjerrë në pah problemet defensive të Manchester Unitedit në minutat e para të ndeshjeve.
Të martën mbrëma, Roma u bë skuadra që ka shënuar më së shpejti dy gola në “Old Trafford” në një garë të rëndësishme evropiane, pasi Matias Soule dhe Donyell Malen realizuan në minutat e para të ndeshjes.
Pesë ditë më vonë, një tjetër skuadër mysafire, Aston Villa, u bë ekipi që ka kaluar më së shpejti në epërsi prej 2-0 ndaj Unitedit në Premierligë, pas një tjetër momenti të mungesës së përqendrimit në repartin defensiv.
Skuadra e Unai Emeryt kaloi në epërsi në minutat e para, kur goditja e Alysson Edward kaloi mes këmbëve të portierit Senne Lammens, i cili duhej të reagonte më mirë.
Vetëm pak çaste më vonë, problemet defensive të Unitedit vazhduan, pasi Lammens nuk arriti ta kontrollonte një tjetër goditje, duke i mundësuar Nicolas Jacksonit, i cili po kalon formë të mirë, ta dyfishonte epërsinë e Villas me një përfundim të lehtë të aksionit.
Skuadra e Michael Carrickut pësoi dy gola brenda vetëm tre minutash e 40 sekondash, duke regjistruar kështu rastin më të hershëm në historinë e saj në Premierligë kur ka qenë në disavantazh prej 0-2.
Megjithatë, për meritë të tyre, futbollistët e Unitedit reaguan shpejt.
Ata ngushtuan epërsinë në minutën e 15-të, pasi Matheus Cunha u rrëzua nga Boubacar Kamara brenda zonës së rreptësisë.
Bruno Fernandes ishte i saktë nga pika e bardhë për ta bërë rezultatin 2-1, ndërsa pak para përfundimit të pjesës së parë, Youri Tielemans shënoi kundër ish-klubit të tij për ta barazuar rezultatin.