Kandidatët Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi janë tërhequr nga gara për Rektor të UT-së për shkak të dyshimeve të bazuara se këto zgjedhje janë të kurdisura në favor të kandidatit të përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli. Ata këtë e konfirmuan me largimin e tyre nga emisioni debativ “Argument” në TVM-2.
“Promovimet tendencioze të programeve të kandidatëve para stafit akademik, duke u prononcuar haptas me aklamacion për njërin nga kandidatët, presionet e ndryshme nëpërmjet njësive akademike, vizitat e shpeshta në fakultetet e kundërkandidatëve nga ana e kryetarit të senatit dhe u.d. rektorit, për të shantazhuar të njëjtit dhe promovuar kandidatin e preferuar, deri në thirrjet individuale të mësimdhënësve duke ushtruar presione të formave të ndryshme.” u shpreh kandidati i tërhequr nga gara Bashkim Ziberi.
“Të shkarkohet kryetari i Senatit, me gjithë senatin, për shkak të vendimeve të jashtëligjshme, të konfirmuara nga Inspektorati i Arsimit të Lartë. Të shkarkohet UD.Rektori Kushtrim Ahmeti, i zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme, sipas raportit të Inspektoratit të Arsimit të Lartë.”, tha kandidati i tërhequr nga gara Dervish Alimi.