Vazhdojnë punimet përreth liqenit në Pogradec/ Pala maqedonase e pa njoftuar, ambientalistët me kritika

Po vazhdojnë punimet e nisura në liqenin e Ohrit në Pogradec edhe përkundër thirrjes së palës maqedonase për të ndaluar punimet sepse siç thonë, janë kundër rekomandimeve të UNESKO-s.
Kryeministri shqiptar Edi Rama këtë e quajti projekt madhor dhe modern të cilin thotë se do ta përfundojë brenda 12 muajve, por për këtë gjë nuk është konsultuar aspak me autoritet në Maqedoni edhe pse Liqeni i Ohrit është i shtrirë në të dy shtetet.
“Lidhur me pyetjen tuaj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka marrë asnjë informatë apo sugjerim zyrtar nga pala shqiptare për ndonjë aktivitet ndërtimor që është me interes të përbashkët/mbrojtjen e liqenit të Ohrit”- deklaroi Ministria e Ambientiti Jetësor.
Reagime vijnë edhe nga shoqatat ekologjike. Ata kërkojnë që të ndërpriten aktivitetet e ndërtimit sepse siç thonë po rrezikohet statusi i liqenit në UNESKO.
“Sipas asaj që UNESKO kërkon, në kuadër të rekomandimeve të fundit ata kanë ndaluar çfarë do lloj intervenimi të kryet në bregun e liqenit, pavarësisht a është në pjesën maqedonase apo shqiptare”- deklaroi Gjoko Zoroski-Ekologjist.
Ndryshe, Maqedonia dhe Shqipëria kanë krijuar një komitet të përbashkët në kuadër të UNESCO-s ku të gjitha projektet që kanë të bëjnë me liqenin e Ohrit duhet të negociohen me konsensus, në mënyrë që për çdo ndërhyrje të pyeten të dy palët.