Është e nevojshme të shpenzohet një pasuri e tërë në mënyrë që një grua shtatzënë në Maqedoni të ketë një shtatzëni të shëndetshme të shoqëruar me kontrolle të rregullta gjinekologjike, por edhe me konsumim të vitaminave të rekomanduara adekuate, shkruan PRESSonline.al

Para së gjithash, çdo grua shtatzënë duhet të vizitojë një gjinekolog amë të paktën një herë në muaj, ose të paktën 10 herë gjatë gjithë shtatzënisë. Edhe pse vizitat te gjinekologu amë duhet të jenë falas, respektivisht në llogari të shtetit, megjithatë, numri më i madh i gjinekologëve amë në Maqedoni marrin nga 500 denarë për kontroll, ankohen lexueset e portalit “Denar”, përcjell PRESSonline.al

“Kam vizituar një gjinekolog amë në Shkup dhe në kontrollin e parë më ka thënë se çdo kontroll në të ardhmen do të më kushtojë 500 denarë dhe se paratë duhet t’ia lë infermieres, por të mundohem që pagesën ta bëj në mënyrë diskrete. Në pyetjen se pse duhet të paguaj kur kontrollet janë falas, ai më tha se të gjithë gjinekologët në Shkup janë pajtuar reciprokisht për këtë, sepse janë të pakënaqur me paratë që marrin nga Fondi. Çfarë duhet të bëj, jam shtatzënë dhe më është dashur të pranoj. Tek gjinekologu kam shkuar çdo muaj për kontroll, afërsisht 10 herë gjatë gjithë shtatzënisë, që do të thotë se kam shpenzuar 5000 denarë vetëm për kontrolle. Për të mos folur për pilulat dhe vitaminat shumë të shtrenjta që çdo grua shtatzënë duhet të marrë. I vetmi përfitim që pashë nga shteti ishte se nuk më merrnin para për analizën e gjakut, as në laboratorë privatë”, thotë 28-vjeçarja B.S. nga Shkupi.

Për sa i përket kostos, çdo grua shtatzënë duhet të përdorë një unazë vaginale që vendoset në tremujorin e parë për të mbështetur fetusin dhe shtatzëninë. Këto unaza blihen vetëm privatisht dhe kushtojnë rreth 900 denarë në muaj.

As vitaminat që u atribuohen grave shtatzëna nuk janë më të lira. Çmimi i këtyre pilulave varion, por nuk është nën 600 denarë për një kuti që duhet të zgjasë rreth një muaj, ndërsa gjinekologët zakonisht përshkruajnë edhe magnezium që kushton rreth 200 denarë në muaj. E vetmja gjë që një grua shtatzënë mund ta marrë me çmim të lirë dhe me reçetë është acidi folik, i cili duhet marrë deri në javën e 16-të të shtatzënisë.