Në organizim të Qendrës për kërkime strategjike Ksente Bogoev” pranë MANU, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shkup, duke filluar nga sot dhe në pesë ditët e ardhshme, në Ohër po mbahet sesioni i tetë i Shkollës të së Drejtës Natyrore të Ohrit, me temën. “Njohja dhe mirëkuptimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në kontekstin e sundimit të Ligjit”, në të cilin marrin pjesë 20 studentë pasuniversitarë dhe 5 doktorantë nga fakultetet shtetërore dhe private në Maqedoninë e Veriut.

Në hapje të seancës foli ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili duke i përgëzuar organizatorët dhe duke ju dëshiruar studentëve proces të suksesshëm edukativ , ai tha se këto shkolla janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse gjithmonë ofrojnë mundësinë për të dëgjuar diçka më ndryshe dhe plotësime në kontekst të programeve të studimit që mësohen nëpër fakultete.

“Besoj se këtu do të fitoni shumë njohuri të reja nga ligjërues eminent , të cilat do t’ju ndihmojnë të jeni juristë edhe më të mirë, të suksesshëm në zbatimin e risive dhe e cila është tema e shkollës – më lehtë ta njihni dhe të përballeni me krimin e organizuar dhe korrupsionin.”, tha Shaqiri duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shkollës.

Ai këshilloi studentët që të vazhdojnë të udhëhiqen nga koncepti i të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe të pranojnë edukime të tilla plotësuese, sepse, siç tha ai, arsimi është një proces që zgjat përgjithmonë, dhe jo një akt që përfundon në një moment të caktuar dhe me përvetësimin e një diplome.