Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve me Serbinë.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

Sipas kryeministrit, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.

Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.