Drejtuesit e Universitetit të Tetovës realizuan takim pune me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli së bashku me kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, më 5 tetor 2023, e kanë takuar drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, z. Ilir Demiri. Me këtë rast, drejtuesit e UT-së e kanë uruar z. Ilir Demiri për emërimin e tij në krye të këtij institucioni shëndetësor tejet të rëndësishëm për qytetin e Tetovës dhe më gjerë. Në këtë takim drejtuesit e institucioneve të sipërpërmendura theksuan nevojën imediate për të vijuar bashkëpunimin midis tyre, sidomos me Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë që tashmë e ka dëshmuar se jep kontribut thelbësor në përgatitjen e kuadrove nga lëmi i mjekësisë.
Universiteti i Tetovës dhe Spitali Klinik i Tetovës bazuar edhe në profilin e veprimtarisë që zhvillojnë, nga viti në vit e kanë forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional si në këmbimin e stafit ashtu edhe në organizime të tjera që kanë për qëllim hulumtimet shkencore.
Në përmbyllje të këtij takimi, drejtuesit e UT-së e përgëzuan z.Demiri për iniciativën e ndërmarrë në funksion të riorganizimit dhe konsolidimit të plotë të Spitalit Klinik të Tetovës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume