Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ka reaguar në lidhje me helmimin e qytetarëve të Malishevës, ku 100 kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Vitia, mes tjerash ka thënë se në QKUK janë të hospitalizuar 11 qytetarë dhe nëntë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit, njofton Klankosova.tv.

Ai potencoi se gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

“Mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuam për rastin e helmimit të 68 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së i vizituam të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK”, shkroi Vitia.

“Në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit”.

“Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.