Miqtë ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar dhe vazhdojnë të deklarojnë se tani është momenti që elitat politike të vendit të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit. “Të zgjedhet mes izolimit dhe perspektivës evropiane”.

Të gjithë qytetarët e vendit i kanë dëgjuar këto thirrje dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë përditë, por të vetmet që nuk duan t’i dëgjojnë janë partitë opozitare.

Nga njëra anë, VMRO-DPMNE opozitare po bllokon procesin e ndryshimeve kushtetuese, e me këtë edhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, partitë opozitare të shqiptarëve, Lëvizja BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike i kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese me heqjen e 20 për qind si kategori kushtetuese për gjuhën shqipe. Mickoski ka paralajmëruar sërish një ofertë të re drejt shumicës parlamentare për zgjedhje të dyfishta presidenciale dhe parlamentare në pranverë të vitit të ardhshëm.

Por, a është i mundur një kompromis politik mes qeverisë dhe opozitës për një çështje kaq madhore strategjike për vendin?

Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë së Veriut thotë se opozita po sillet jashtëzakonisht në mënyrë iracionale në raport me ndryshimet kushtetuese.

“Ajo vepron prej kohësh e izoluar, pasi mesazhet që vijnë nga BE dhe SHBA nuk kanë vlerë për ta, të cilat janë të qarta se ky shans nuk duhet humbur, gjë që na ofron shanse reale për anëtarësim në BE. Duhet të jesh një politikan tepër infantil që të mos kesh perceptim se çfare ndryshime gjeopolitike ua kundërshton aleatëve të NATO-s, ku bëjmë pjesë edhe ne. Kjo lloj sjelljeje, veçanërisht e Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së së tij, kërkon dyshime konspirative se nga vijnë qëndrime të tilla antiperëndimore dhe antishqiptare të mbështjellë me diktat bullgar. Mickoski ka ende pak kohë për të menduar dhe për t’u çliruar nga kufizimet e qarqeve të caktuara të ndikimit subversiv ruso-bullgar. Në të kundërtën do t’i ndodhë izolimi, i cili do ta dëmtojë personalisht, partinë dhe më e keqja do të ketë pasoja për vendin që ai e ‘dashuron’ shumë”, tha Ramadani për Frontline, përcjell PRESSonline.al

Gazetari dhe komentuesi politik shumëvjeçar, Aco Kabranov beson se VMRO-DPMNE nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

“Mendoj se VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk do të ndryshojë qëndrim për ndryshimet kushtetuese. Mickoski do të qëndrojë në JO-në e tij për ndryshimet kushtetuese sipas asaj që ai pretendon se është një diktat bullgar”, thotë Kabranov në një deklaratë për Frontline, përcjell PRESSonline.al

Sa i përket treshes opozitare të partive të shqiptarëve, Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami, Kabranov deklaron se po luajnë rolin e zëdhënësve të Mickoskit, për të bllokuar ndryshimet kushtetuese, duke iu përmbajtur premtimit të Mickoskit për t’i futur në qeveri pas zgjedhjeve.

“Vetëm kështu mund ta dërgojnë BDI-në në opozitë, nuk kanë shanse ta mposhtin në zgjedhje”, konsideron Kabranov.

Nga ana tjetër, ambasadori evropian David Geer tha se ka mbështetje shumë të fortë për të ardhmen evropiane të vendit dhe shprehu shpresën se vendi do të ecë përpara me miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimin e reformave. Geer theksoi se hapat e ardhshëm në rrugën e integrimit evropian janë vendime që duhet të marrin aktorët politikë në vend, jo Këshilli i Bashkimit Evropian apo vendet anëtare të BE-së.

“Për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mbështetje shumë të fortë nga institucionet e BE-së, por edhe nga vendet anëtare të BE-së. Siç e dini, me vendimin e fundit që u mor në korrik 2022 kishte një propozim evropian që u harmonizua dhe në fakt ishte një mundësi për të hapur negociatat e anëtarësimit me vendin tuaj. Nga ana tjetër, kjo ishte një mundësi që vendi të ecë përpara dhe sigurisht që për të ecur përpara duhet të miratohen ndryshime kushtetuese. Shpresojmë sinqerisht se vendi do të jetë në gjendje të ecë përpara duke miratuar ndryshimet kushtetuese, si dhe duke zbatuar reformat që në fakt janë pjesë e rrugës së integrimit evropian të vendit tuaj. Sa i përket hapave të ardhshëm, sigurisht që janë vendime që duhet t’i marrë vendi juaj, nga aktorët politikë, jo nga Këshilli i BE-së, as nga vendet anëtare të BE-së, tha Geer, përcjell PRESSonline.al

LSDM-ja në pushtet mendon se dy ciklet zgjedhore duhet të ndahen, por është e hapur për diskutim për datat, ndërsa për opozitën VMRO-DPMNE është e pranueshme që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën kohë dhe propozojnë 8 majin si datë të mundshme.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski thotë se për datën e zgjedhjeve duhet të pajtohen të gjitha partitë politike, jo vetëm dy, dhe se grupet punuese të partive duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve dhe për të gjitha detajet tjera lidhur me të.

“Data e zgjedhjeve është temë e bisedës mes të gjitha partive politike, jo vetëm dy partive. Edhe Kodi Zgjedhor edhe mbajtja e zgjedhjeve bëhet sipas ligjit dhe Kushtetutës, sipas mandateve. Këtë vit kemi zgjedhje karakteristike, sepse kemi edhe zgjedhje presidenciale edhe parlamentare”, tha Kovaçevski, përcjell PRESSonline.al

Nënkryetari i BDI-së dhe ministër aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se data e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare do të jetë produkt i dialogut mes partive politike, i cili duhet parë në kuadër të reformës kushtetuese, e jo në perspektivë të interesave partiake.

“BDI-ja është më së paku e shqetësuar për terminet si mundësi për të ndihmuar pozitën e partisë sepse në çdo kohë pozicioni ynë është i mirë. Mendoj se duhet ta shohim në kontekstin e reformës kushtetuese e jo në atë se si partitë politike do të kenë interes për ndonjë datë”, tha Osmani, përcjell PRESSonline.al

Më herët edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka sugjeruar që zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të mbahen në të njëjtën datë.

“Për Maqedoninë, si vend i varfër, është më mirë që këto zgjedhje të mbahen së bashku, në të njëjtën datë, dhe jo në dy data. Unë jam kundër idesë që zgjedhjet parlamentare të bëhen në dhjetor dhe zgjedhjet presidenciale në mars. Unë jam kundër edhe opsionit presidencial në mars ose prill, dhe atij parlamentar në qershor ose korrik”, tha Taravari.

Ndërkohë, mazhoranca parlamentare ka deklaruar se është e gatshme për dialog, por nuk pranon zgjedhje të dyfishta. Për partitë e mazhorancës parlamentare, prioritet mbetet miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimi i rrugës evropiane të vendit.