Deklarata e kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, se presioni ndaj gjykatësve është një praktikë, sa është e vërtetë, po aq është e dhimbshme. Kjo është diçka më shumë se një dëshmi relevante e shqetësimit tonë, për çfarë ne e kemi ngritur zërin në mënyrë të vazhdueshme.
Tashmë dihet qartë se kush po bën presion ndaj gjyqësorit dhe pse po e bën këtë. BDI-ja dhe LSDM-ja po vazhdojnë t’i shkelin të gjitha vlerat demokratike, pavarësinë institucionale, integritetin e gjykatësve dhe, në përgjithësi, të sistemit të drejtësisë, duke ushtruar zhvatje mbi ta, për ta kthyer Gruevskin dhe për ta shpëtuar shpurën e kriminelëve të tij, gjithë kjo në favor të kalkulimeve elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Andaj e përshëndesim këtë deklaratë e cila ndihmon që edhe njëherë të zhveshë BDI-në dhe kredibilitetin e saj të munguar, si dhe të dëshmojë që ajo e ka humbur dhe po e humb mbështetjen dhe influencën e saj politike.
Ne – opozita e bashkuar shqiptare – gjykojmë se këto janë veprime të pafalshme, andaj qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të gjykatësve në Gjykatën Supreme. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të rezistojnë, që të mos bien pre e shantazheve dhe kërcënimeve të tyre dhe të veprojnë në bazë të akteve dhe normave ligjore.
Askush nuk guxon ta cenojë në këtë mënyrë pavarësinë e gjyqësorit e aq më pak vetë drejtësinë, ndërsa ata që e bëjnë këtë duhet të marrin dënimin e duhur. Gjithsesi, dënimin më të madh do ta kenë në zgjedhje, nga të cilat na ndajnë pak muaj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume