Dixhitalizimi i plotë i operacioneve doganore ka një rëndësi të madhe për lehtësimin dhe përshpejtimin e tregtisë legale dhe përmirësimin e konkurrencës së kompanive në tregun ndërkombëtar. Për këtë qëllim është i nevojshëm përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kufitare në nivel të Ballkanit Perëndimor, si një hap drejt afrimit dhe anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së. Këto ishin konkluzionet e konferencës dyditore “Nxitja e bashkëpunimit në epokën dixhitale” në të cilën mori pjesë zëvendësdrejtori Muarem Asani, e organizuar nga Drejtoria e Doganave të Shqipërisë me mbështetjen e GIZ. Në kuadër të konferencës, përfaqësuesit e drejtorive doganore në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi i theksuan komunitetit të biznesit rëndësinë e dixhitalizimit dhe bashkëpunimit ndërmjet agjencive qeveritare për procese më të shpejta dhe më efikase të zhdoganimit.

Në takimet e mbajtura në kuadër të konferencës, Asani në veçanti iu referua projektit për zbatimin e Sistemit të ri Kombëtar One-Stop Shop, i cili, siç tha ai, do të transformojë tërësisht mënyrën e tregtisë ndërkufitare, duke mundësuar dogana më të shpejta dhe procese më efikase “nën një çati”. I njëjti do të kontribuojë në uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për kompanitë dhe rritjen e mbledhjes së të ardhurave.

Në konferencë u theksua gjithashtu se rritja e bashkëpunimit të institucioneve të Ballkanit Perëndimor mundëson shfrytëzimin e plotë të përfitimeve për kompanitë me statusin e operatorit të autorizuar ekonomik, pra kalim më të shpejtë dhe më të lehtë të kufijve, si dhe kontrolle të reduktuara.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume