Komandanti i zjarrfiksave, Avni Ameti për TetovaSot deklaroi se zjarri ka shpërthyer sot rreth orës 10, dhe me të njoftuar ekipet e zjarrfiksave kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe se punohet intesivisht për lokalizimin e zjarrit që shpërtheu në depon Evrokom në fshatin Falisht të Tetovës me pronar shqiptar.

“Momentalisht po digjet depoja e cila është me materiale e cila është me përbërje me rrezik të madh, siç jan ngjyra, llaqe si dhe plastika të ndryshme. Nuk është një zjarr i vogël, por është një zjarr i përmasave të mëdha, këtu kemi zjarrfiks nga Shkupi, Gostivari, Kumanova dhe firmat private po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit”, theksoi Avni Ameti për TS.

Në zjarrin në depon e kompanisë Eurokom në afërsi të Falishtës në Tetovë janë djegur ngjyra dhe llaqe dhe lloje të tjera kimikatesh, andaj kompetentët kanë rekomanduar që në atë pjesë të Tetovës të kufizohet lëvizja, qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe me dritare të mbyllura. Sipas ekspertëve, djegia e materialeve të tilla krijon gazra helmues dhe të dëmshëm në ajër.

“Për momentin kemi monoksid karboni, dioksid karboni, zjarrfikësit janë të ekspozuar. Dioksinat dhe furanet janë substanca të rrezikshme, substanca të dëmshme. Rekomandimi ynë është që pa nevojë të mos kalohet andej dhe në distancë prej dy kilometrash njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Pastaj do të kontrollohet uji dhe toka”, deklaroi dr. Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik ekipi i së cilës ishte në vendin e ngjarjes.