Në takimin e fundit me qytetarët në Shkup, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka theksuar se shqiptarët janë në prag të përmbylljes së barazisë së plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka argumentuar se: “Debatet politike për zgjedhjet gjithmonë kanë qenë në mes partive politike maqedonase. E keni parë, VMRO- DPMNE apo LSDM, kush do fitojë, pastaj ne Liga e dytë, … partitë politike shqiptare ziheshin mes vete edhe pritnin a do fitojë VMRO-ja për t’i marrë në Qeveri a do fitojë LSDM. Për herë të parë, në diskursin publik, gara është në mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Merrni lajmet dhe shihni press konferencat e VMRO-DPMNE-së, ata nuk merren me LSDM, ata merren me BDI. Për herë të parë, nga Liga e dytë, ne garojmë në Ligën e parë. Konkurrenca politike tash është ndërmjet VMRO-DPMNE-së, si përfaqësuese e nacionalizmit maqedonas. Unë e quaj përfaqësuese e rrugës anti europiane të shtetit dhe BDI si përfaqësuese e frontit europian. Këtu i shohë të gjithë tjerat që duan Maqedoninë në BE”.

Sipas Osmanit beteja është për herë të parë ndërmjet një përfaqësuesit të komunitetit maqedonas dhe përfaqësuesit të komunitetit shqiptar- BDI-së.

“Tendenca ka qenë gjithmonë: po i patë shqiptarët që u bashkuan, fragmentoni në parti të vogla. Kjo ka qenë ideja. Nxitni që secili të bëhet lider lokal, nxitni secili të bën parti në qytetin e vet, të bëhet lider i qytetit të vet, i mëhallës së vet dhe ata të merren mes vete, të harxhojnë energji ndërmjet vete, që të mos kenë kohë të merren me Ligën e parë. Liga e parë ka qenë e rezervuar për dy partitë politike maqedone. Ali Ahmeti dhe BDI e ka sfiduar këtë tendencë. 13 parti politike kanë dalë prej BDI-së. 13 organizime politike kanë dalë prej BDI-së, duke tentuar me këput, me copëtu,…por e ka mbajtur bashkë. E keni mbajtur ju bashkë. Për shkak se ju keni vlerësuar se ky është shansi historik për të mbajtur zërin e shqiptarëve nga Kumanova deri në Strugë”, deklaroi Osmani.