Në kuadër të vizitës së saj në SHBA dhe në prag të mëngjesit tradicional të lutjes së nesërme në Uashington, zv. kryeministrja përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, sot mori pjesë në forumin e sigurisë me temë “Ndikimi malinj kinez dhe rus në Ballkan”.

Në prezantimin e saj, Grkovska theksoi se Maqedonia e Veriut ka qenë gjithmonë në udhëkryq të ndikimeve të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të dëmshme që minuan çdo hap që kemi ndërmarrë si vend për t’u bërë pjesë e Aleancës dhe për të hyrë në BE.

Fatkeqësisht, siç theksoi Grkovska, këto ndikime nuk u zvogëluan me hyrjen në NATO, por u intensifikuan pasi vendi u përball me pengesa të reja për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një kontekst të tillë, narrativat e dëmshme, lajmet e rreme dhe dezinformatat përhapen gjithnjë e më thellë në shoqëri, theksoi Grkovska dhe shtoi: “E gjithë kjo është në interes të agjendave të vendeve nga të cilat Maqedonia e Veriut, historikisht, nuk ka parë asgjë të mirë. Dhe euroskepticizmi në rritje dhe ndjenjat antiperëndimore që po forcohen sistematikisht, mund të kenë pasoja të gjera në stabilitetin e shoqërisë sonë dhe të gjithë rajonit”.

Në fjalimin e saj, zëvendëskryeministrja shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten aleati dhe miku ynë i përkushtuar në të ardhmen, i cili në vazhdimësi i mbështet përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe ndërtimit të kapaciteteve të qëndrueshme institucionale për rritjes dhe zhvillimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume