Shkup, 4 mars – Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare nuk janë vetëm zgjedhje të thjeshta, por janë zgjedhje të cilët do të përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit. Zgjedhjet e dyfishta do të japin sinjale të qarta udhërrëfyese nëse vendi do të mbajë ose jo kursin euro – atlantik, do të vazhdojë të ecë drejt familjes së madhe evropiane dhe do të kultivojë marrëdhënie të mira ndëretnike dhe fqinjësore apo do të stagnojë, shkruan PRESSonline.al
“RMV në asnjë mënyrë nuk duhet të devijojë nga rruga e integrimit , respektivisht nga anëtarësimi në BE, sepse çdo alternativë tjetër atë e vendos në fushën e ndikimit të Rusisë me çka perspektiva e saj do të jetë shumë e errët e paparashikueshme, e rrezikshme dhe me konflikte”, deklaroi për PRESSonline.al, Ismet Ramadani nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut.
Në anën tjetër, analisti politik Imer Selmani thotë se përcaktimi strategjik i yni si shtet edhe i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që para 30 viteve, në vazhdimësi është anëtarësimi në NATO dhe në BE duke inkorporuar të gjitha vlerat pozitive shoqërore dhe ekonomike të shteteve të zhvilluara të perëndimit në vendin tonë.
“Në asnjë mënyrë ky kurs nuk duhet ndryshuar dhe për këtë jemi përgjegjës të gjithë ne, së pari si qytetar kur votojmë dhe u japin mandatin për të na drejtuar politikanët dhe patjetër politikanët kur marrin përgjegjësi këtë orientim dhe vullnet politik e kanë për detyrë ta realizojnë”, tha Selmani për PRESSonline.al
Sipas Ramadanit dhe Selmanit devijimi i vendit nga kursi euro-atlantik është i mundur vetëm atëherë nëse në pushtet vijnë parti politike dhe politikanë të cilët në opinion njihen si mbështetës të politikave të mëdha të Rusisë, ndërsa nëse ndodh kjo, atëherë analizojnë analistët për PRESSonline.al, vendi do të mbetet në “vendnumëro” .
Çdo gabim apo ardhje eventuale e këtyre partive pro ruse në pushtet paraqet rrezik të lartë për vendin, do të ngadalësohet rrugëtimi euro-atlantik i vendit dhe do të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike dhe fqinjësore, theksuan Selmani dhe Ramadani.
“Nëse në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare jepet vota në shumicë për partitë politike të cilat pothuajse pa e fshehur fare, po proklamojnë largim nga opsioni euro-atlantik dhe afrim me opsione që kanë të bëjnë me ndikim të Rusisë. Këto parti janë të udhëhequra nga struktura të VMRO-DPMNE-së e cila për një dëshirë të madhe për të marr pushtetin për interesa lukrative janë në gjendje që të rrezikojmë edhe ardhmërinë e shtetit, duke u vendosur në konflikt permanent me shtetet fqinje dhe inskenim të tensioneve ndëretnike brenda për brenda shtetit”, nënvizoi Ramadani.
“Devijimi nga kursi euroatlantik është i mundshëm edhe njëkohësisht është rrezik shumë i lartë për neve si qytetarë dhe për vendin tonë nëse qytetarët votojnë politikanë dhe parti politike në këto zgjedhje të cilat janë të deklaruar si anti-perëndimor ose dyshojnë haptazi në ardhmërinë e vendit tonë në NATO dhe në BE në mënyrë suptile preferojnë aleanca me Rusinë. Këtu para së gjithash kanë ndërmend parti dhe individë të bashkësisë etnike kryesisht maqedonase por në këto gracka nuk duhet të bien edhe politikanë shqiptarë dhe partitë shqiptare”, analizon Selmani për PRESSonline.al
Për dallim nga partitë politike të bllokut maqedonas, partitë shqiptare nuk shohin përmes “optikës” së hamendjes dhe dyshimeve se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendin në familjen e madhe evropiane. Ramdani dhe Selmani thonë se roli i partive politike shqiptare për ruajtjen e kursit euroatlantik është esencial dhe i patjetërsueshëm, pasi që këtë gjë ata e kanë dëshmuar me vepra konkrete se dinë të ruajnë partneritetin me SHBA-në dhe me Evropën edhe në momentet shumë të vështira.
“Sa i përket partive politike shqiptare, nuk ekziston asnjë dallim se ato janë përcaktuar që herët për opsionin euroatlantik. Prandaj duhet të jemi të sigurt se edhe në këto zgjedhje, partitë politike shqiptare të dy blloqeve do të japin kontributin e tyre që të rruhet diskursi euro-atlantik i vendit, që siguron avancimin e mëtutjeshëm të drejtave të shqiptarëve si dhe përmirësimin e jetës së tyre, me shumë dimensione që kanë të bëjnë me një mirëqenie më stabile” , tha Selmani.
“Është momenti që definitivisht kursi gjeostrategjik i Maqedonisë së Veriut të përforcohet me qeverisje të ardhshme që e garanton të njëjtën. Çdo rrugë tjetër është pa perspektivë, qoftë në dimensionin e sigurisë ashtu edhe në zhvillimet e mëtejshme ekonomike, për jetë më të mirë dhe standarde që përkojnë me shtetet e BE-së”, shprehet Ramadani.
Dy analistët bëjnë thirrje qytetarëve të jenë shumë vigjilent dhe të kujdesshëm para se të vendosin se kujt do t’ia japin votën, ndërsa partive politike shqiptare i porositin të bëjnë kujdes se më kë ulen për të negociuar për përbërjen e re qeveritare, pasi nuk ka kthim mbrapa.
“Për të shmangur devijimet drejt rrugës euro-integruese duhet në këto zgjedhje qytetarët pa u induktuar nga rusofilët të përcaktohen me voton e tyre për ato subjekte politike të cilat qartë dhe mirë janë të orientuara drejt anëtarësimit në BE”, potencoi Ramadani.
“Partitë politike shqiptare e të dy blloqeve në rast se u jepet mundësia për të negociuar për shumicën e re parlamentare dhe qeveritare duhet ti kenë parasysh interesat që kanë të bëjnë me anëtarësimin e RMV-së në BE, e që si parakusht janë ndryshimet kushtetuese dhe pozicionimi sa më avancues në organet drejtuese administrative të shtetit”, theksoi Selmani.
Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë më 8 maj, dita kur do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje “beteja” kryesore në bllokun maqedonas do të zhvillohet mes koalicioneve të partive maqedonase të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa në bllokun shqiptar koalicioni i quajtur “Fronti për Evropë” i BDI-së dhe koalicioni “VLEN” i partive opozitare shqiptare.(r.q/PRESSonline.al)
ANALIZË: Kursit euro-atlantik i Maqedonisë së Veriut – në asnjë mënyrë nuk duhet ndryshuar!