Federata Kroate e Futbollit nuk mund të jetë e kënaqur me sjelljen e tifozëve të saj në hapje të Kampionatit Evropian në Gjermani.

Përveç faktit që futbollistët kroatë humbën me rezultat 3:0, HNS ka marrë edhe një gjobë të ashpër për sjelljen e një pjese të tifozëve në duelin ndaj Spanjës.

Federata kroate u gjobit me 63.875 euro për hedhjen e gotave plastike nga tifozët dhe 24.000 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, pra gjithsej 87.875 euro.

Të gjitha këto u komentuan nga shefi i sigurimit të kombëtares kroate, Jurica Jurjeviq.

“Sot kemi marrë një dënim nga UEFA për sjellje të paligjshme, futbolli shkakton emocione dhe është i vështirë për t’u kontrolluar, më e rëndësishmja është se nuk ka pasur incidente të mëdha. Hedhja e gotave dhe mjetet piroteknike janë problemi më i madh për momentin. Në Hamburg po bie shi, kështu që siç thonë duhet të lagesh pak”, tha Jurjeviq.

HNS do ta apelojë vendimin, e pas së cilit pret një ulje të dënimit.

Sa i përket sigurisë së përgjithshme, Jurjeviq thekson se aty nuk ka asnjë problem.

“Siguria është në nivel të lakmueshëm, organizimi është shumë i mirë. Futbollistët nuk janë të ngarkuar, kampi është ideal. Lojtarët kanë paqe të plotë”, ka thënë Jurjeviq.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume