Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur drejt Washingtonit për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në një takim të nivelit të lartë që mbahet prej datës 9 deri më 11 korrik.

Samiti do të zhvillohet për 75 vjetorin e NATO-s me ftesë të presidentit amerikan, Joe Biden.

Ndërsa feston 75 vjetorin e themelimit të saj, gjatë takimit që fillon të martën, NATO, e përbërë nga 32 vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut, janë të angazhuar për të mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet e armatosura, ku në Samit do të theksohet forca përmes solidaritetit.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, 12 vende nënshkruan Traktatin e Atlantikut të Veriut në Uashington, DC për të siguruar mbrojtjen e tyre kolektive në një botë të paparashikueshme.

Këtë vit, 32 aleatë të NATO-s do të takohen përsëri në Washington për të marrë vendime kyçe se si të vazhdojnë të mbrojnë një miliard qytetarët e tyre, ndërsa bota përballet me momentin më të rrezikshëm të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë.

“Në Samitin e Washingtonit, ne do të demonstrojmë edhe një herë unitetin dhe forcën e NATO-s, në mbështetje të Ukrainës dhe për të mbajtur të gjithë njerëzit dhe vlerat tona të sigurta”, ka thënë Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Në Samitin e Washingtonit, udhëheqësit e NATO-s do të trajtojnë një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca dhe do të sigurojnë që NATO të mbetet e gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.

Këtu përfshihet mbrojtja e të gjithë aleatëve, me stërvitje në tokë, në det dhe në ajër; ndihma për Ukrainën, e cila është ende nën pushtimin brutal të Rusisë; bashkëpunimi mes partnerëve, që përfshin Evropën, rajonin Indo-Paqësor dhe organizata të tjera, veçanërisht BE.

Paralelisht me Samitin e Washingtonit, qyteti do të presë Forumin Publik të NATO-s – një ngjarje që synon të promovojë një kuptim më të mirë publik të politikave, qëllimeve dhe vendimeve të NATO-s përmes dialogut dhe angazhimit me një grup unik dhe të larmishëm të palëve të interesuara.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume