Didie Deshamp vjen në “versionin” Silvinjo, pas humbjes në gjysmëfinale ndaj Spanjës. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i “Gjelave” u shpreh ndër të tjera se goli i shpejtë që shënuan u krijoi vështirësi. E njëjta deklaratë u përdor edhe nga trajneri i Kombëtares shqiptare pas ndeshjes me Italinë.

“Spanja tregoi sonte se është një ekip shumë i mirë. Ne kishim fatin që hapëm serinë e golave, por kjo na krijoi vështirësi sepse ata ishin superiorë në kontrollin e ndeshjes. Sonte treguan cilësitë e tyre.

Menaxhimi i dy golave të pësuar në katër minuta? Arritëm pak me vonesë, ndoshta ishim pak më pak të freskët, gjë që prodhoi mangësi teknike, sidomos në konstruksionin e lojës.

Nuk do ta përmbledh Europianin në këtë ndeshje. Ne u përballëm me një ekip shumë të mirë spanjoll, i cili konfirmoi gjithçka kishte bërë më parë. Mund të kishim bërë disa gjëra më mirë kundër një kundërshtari që ka shumë kontroll. Nuk kishim mjaftueshëm vertikalizim.

Ne nuk jemi një ekip i kujdesshëm dhe as mbrojtës, ne jemi një ekip që mbrohemi shumë mirë. Gjithashtu nuk i kishim të gjitha armët sulmuese, na u desh të përshtateshim për arsye të ndryshme. Nuk patëm ndikimin e zakonshëm, jemi përshtatur për të qenë konkurrues, me limite”, theksoi Deshamp për mediat menjëherë pas ndeshjes.