U premtua për tre muaj, u bënë pesë – Kasami: Procedurë kundër kompanisë që po punon në “Bllagoja Toska”

Assesi të hapet bulevardi “Bllagoja Toska”, pjesa tek Kazerma e qytetit në Tetovë. Kryetari i komunës Bilall Kasami thotë se kompania ndërtuese nuk po e respekton marrëveshjen që ka me komunën, andaj edhe komuna ka nisur procedurat ligjore.
“Aty realisht kemi problem me kompaninë që realizon punimet nuk e di natyrën e problemit që ata e kanë, unë e kam thënë edhe më herët nuk tolerohen kësi situate do merren masa, veç më kanë dhënë urdhër edhe nga sektori përgjegjës, kanë nisur masat për të marrë masat konform ligjit dhe konform marrëveshjes që e kemi për kompaninë e cila më veç i stërzgjatë punimet aty dhe këtu do të veprohet konform ligjit dhe konform marrëveshjes që e kemi nënshkruar me kompaninë”, tha Bilall Kasami.
Kjo pjesë e bulevardit te Kazerma, filloi të ndërtohet me 19 shkurt, pak ditë para fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Atë kohë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, pati thënë se do të realizohet për tre muaj.
“Sot ne jemi këtu të shohim se si kanë nisur edhe të përcjellim në vazhdimësi realizimin e këtij projekti i cili do të mbyllet jo më shumë se tre muaj”, pati deklaruar Kasami në shkurt të këtij viti.
TV21 doli në terren për të parë se çfarë po bëhej aty për momentin. Nga ajo që pamë sot, nuk është duke u punuar. Nga ajo që duket nga gjendja momentale, ky bulevard nga dy korsi do të ngushtohet në një, pasi që objektet që duheshin larguar, ende janë këtu.