Grupi militant libanez, Hezbollah, tha se ka kryer një sulm me dronë në veri të Izraelit, ndërkaq ushtria izraelite tha se dy pjesëtarë të saj u plagosën gjatë këtij sulmi.

– Advertisements –

Ky sulm vjen në kohën kur është rritur frika për një konflikt rajonal, pasi javën e kaluar u vra një komandant i lartë i Hezbollahut në Liban, dhe në Iran u vra udhëheqësi politik i Hamasit.

Përmes një njoftimi, Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, tha se ka shënjestruar një bazë ushtarake në veri të Izraelit në përgjigje të “sulmeve dhe vrasjeve” të kryera nga Izraeli në disa fshatra në jug të Libanit.

Vrasja e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, javën e kaluar në Teheran të Iranit dhe vrasje e komandantit të Hezbollahtu, Fouad Shukur, në Bejrut kanë rritur tensionet në rajon, përderisa Izraeli po bëhet gati për një kundërpërgjigje nga Irani dhe milicitë aleate të tij. Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.