Çitaku: PDK kërkon hetim për “mafinë energjetike”, dy miq të mirë të Kurtit të dyshuar kryesor në këtë skandal

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë skandal.
Çitaku, në një konferencë për media, tha se PDK i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat kanë marrë përsipër zbulimin e keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë.
Sipas Çitakut, arrestimi i Nagip Krasniqit është maja e një ajsbergu, në të cilin i kanë rrënjët thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, që i ngjason një “Mafie Energjetike”.
“Dje Prokuroria Speciale ka ngritur edhe zyrtarisht aktakuzë kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi tashmë mbi dyshimin e bazuar dhe të ehtuar mirë akuzohet se nga data 15 tetor 2021 vetëm 10 ditë pasi u emërua kryeshef nga VV, e deri më datën 19 prill 2023 në cilësinë e personit zyrtar duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare ka kryer hic më pak se tri vepra penale. Megjithatë kjo s’është e tëra, arrestimi i Krasniqit është maja e një “icebergu” që i ka rrënjët thellë tek eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti që sot po i ngjason një mafie energjetike. Mos të harrojmë në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike 100% qytetarëve janë dy miq të mirë të Kurtit që erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të VV-së, Nagip Krasniqi dhe Martin Berishaj si të dyshuar kryesor në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv me tregtim të energjisë”, tha ajo.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka përmendur edhe konfirmimin e aktakuzës për mosraportim të pasurisë ndaj Ministres Donika Gërvalla.
Çitaku rikujtoi sipas saj, rastet e shumta të keqpërdorimeve nga pushteti aktual dhe ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve të tij, duke thënë se para ligjit dhe drejtësisë, askush nuk guxon të jetë i paprekshëm.
“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzë për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Tani na thoni si mund ta quajmë ndryshe një pushtet përveç se korruptim që nuk kalon as edhe një muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.Edhe një herë mos të harrojmë të gjithë këta njerëz edhe shumë të tjerë që kanë definuar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari.Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë nuk kanë dhënë dorëheqje. Edhe sot PDK kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë nga të gjithë akterët e përfshirë, jo vetëm në këto skandale por në të gjitha skandalet që ende kërkojnë përgjigje.Energjia, rezervat shtetërore, mosdeklarimi i pasurisë, skandalet diplomatike, kontrata njëburimore e të tjera”, shtoi ajo.
/Reporteri.net/