Si ishte nervozuar profesoresha maqedonase, kur Ismet Jashari e kishte shkruar ‘Kosova Republikë’, si e përjashtuan atë nga shkolla e mesme. Rrëfim i padëgjuar nga ish-shoku i klasës, Shaban Nasufi nga Orizarja
Nesër (e diel) bëhen 26 vjet nga rënia e Ismet Jasharit-Komandant Kumanova në altarin e lirisë së Republikës së Kosovës.
Shaban Nasufi nga fshati Orizare e komunës së Likovës, Ismetin e ka pasur shokë që nga fëmijëria.
Ai ka zgjedhur Open-TV për të rrefyer një ngjarje interesante me shokun e tij gjatë kohës kur kanë qenë në shkollë të mesme.
“Me fol për Ismet Jasharin është gjithmonë pak. Ismet Jasharin e kam njohur prej moshës 6 vjecare e deri në vitin e dytë të shkollës së mesme. Në vitin e dytë na ndodhi një gjë që ne si shokë të Ismetit në atë kohë jemi pas frikësuar shumë. Ismet Jashari ka qenë trim, ka qenë guximtarë edhe si i ri. Me një orë e mbajë mend ka qenë ora e dytë, teknologji. Atë lëndë na e jepte një profesoreshë me emrin Snezhana, ndërsa Ismeti e kishte shkruar ‘Kosova Republikë’. Profesoresha hyri shumë e nervozuar, ne nuk e dinim se cka ka ndodhur. Ne sot krenohemi me Ismetin të gjithë, por në atë kohë jemi frikësuar që ta shkruajmë ‘Kosova Republikë’. Nuk e dinim se kush e ka shkruar. Por me kalimin e kohës e kuptuam se Ismeti paska qenë ai trimi. Edhe Ismetin në vitin e dytë të shkollës së mesme ‘Pero Nakov’ e përjashtuan nga shkolla. Por cka është më kryesorja, Ismetin e përjashtuan, por Ismeti e ka pasur edhe një motër në të njëjtën klasë, në të njëjtën shkollë së bashku me emrin Sajnure Jashari. Të rinjtë se njohin por Sajnurja ka qenë më patriote dhe më trimëreshë se Ismet Jashari. Ne kur kishim probleme me profesorët maqedoanas nuk guxonim ta hapnim gojën, ka qenë Sajnurja që është marrë me punët tona, ajo ju kundërvyhej profesorëve maqedonasë. E sot askush se njeh, askush nuk e përfillë. Ajo jeton në Kumanovë. Atë duhet respektuar edhe njëherë më shumë se Ismetin. Ismeti ka rënë dëshmor, sot është hero i kombit, cdo respekt, por respekt edhe për motrën e Ismetit”, kujton Shaban Nasufi për Open-TV.
Video e plotë: