Ministri i Jashtëm i Iranit tha të mërkurën se Teherani nuk i kishte dorëzuar asnjë raketë balistike Rusisë dhe se sanksionet e vendosura ndaj Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe tre fuqi evropiane nuk do të zgjidhnin asnjë problem midis tyre.

“Edhe një herë, SHBA dhe E3 veprojnë mbi bazën e inteligjencës së gabuar dhe logjikës së metë. Irani nuk i ka dorëzuar raketa balistike Rusisë. Pikë… Sanksionet nuk janë zgjidhje, por pjesë e problemit,” tha Ministri Abbas Araqchi në një postim në X.

E3 përbëhet nga Britania, Gjermania dhe Franca.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të martën se Rusia kishte marrë raketa balistike nga Irani dhe ka të ngjarë t’i përdorë ato në Ukrainë brenda disa javësh. Ai tha se bashkëpunimi mes Moskës dhe Teheranit rrezikon sigurinë më të gjerë të Evropës, ka raportuar Reuters, transmeton Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania dhe Franca vendosën të martën sanksione të reja ndaj Iranit, duke përfshirë masa kundër linjës ajrore kombëtare të tij, Iran Air.

Ndërkohë, të mërkurën Kremlini hodhi poshtë raportet se Irani kishte dërguar raketa në Rusi, duke thënë se pretendimet për transferime të ndryshme armësh ishin të pabaza.

Po ashtu, Holanda thirri ambasadorin iranian, dhe Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, tha në X se po kërkohej “sanksione të reja dhe të forta nga BE-ja”.